Kirurgët dhe anesteziologët në Strugë prej 1 qershorit operojnë vetëm rastet urgjente, kërkojnë zgjidhje për pagesat dhe kushtet e punës
Që nga 1 qershori, kirurgët dhe anesteziologët në Spitalin e Strugës kanë kufizuar aktivitetin e tyre vetëm në trajtimin dhe operimin e rasteve urgjente, ndërsa ndërhyrjet e planifikuara dhe rastet jo urgjente janë pezulluar deri në zgjidhjen e problemeve që ata i konsiderojnë të kahershme.
Sipas mjekëve, vendimi është marrë pas mungesës së reagimit nga institucionet kompetente ndaj kërkesave të tyre, të cilat lidhen me pagesat dhe mënyrën e përllogaritjes së punës së realizuar.
Ata theksojnë se vazhdon të zbatohet një program i vjetëruar për përllogaritjen e pagave, ndërsa pretendojnë se është ulur në mënyrë të pajustifikuar numri i thirrjeve të gatishmërisë dhe se nuk janë paguar të gjitha angazhimet e realizuara në këtë bazë. Sipas tyre, edhe te anesteziologët është reduktuar numri i orëve të llogaritura për gatishmëri, pavarësisht punës së kryer.
Po ashtu, ata ngrenë shqetësimin për mosshlyerjen e orëve shtesë të realizuara, si dhe për mos pagesën e shtesës infektive, e cila u takon sipas natyrës së punës që kryejnë.
Mjekët vlerësojnë se paradoksi më i madh qëndron në faktin se Spitali i Strugës është ndër institucionet më aktive të shëndetësisë sekondare në vend, ku realizohet një numër i madh operacionesh elektive dhe urgjente, përfshirë edhe ndërhyrje të shumta onkologjike. Megjithatë, sipas tyre, kirurgët dhe anesteziologët që kryejnë këto ndërhyrje marrin paga më të ulëta se mjekë në institucione të tjera shëndetësore ku nuk realizohet asnjë operacion gjatë muajit.
Ata theksojnë gjithashtu se Spitali i Strugës është i vetmi spital i nivelit sekondar në rajonin jugperëndimor të vendit që kryen operacione për pacientë nga e gjithë zona, duke mbuluar një numër të madh qytetarësh që kërkojnë trajtim kirurgjikal.
Pavarësisht pakënaqësive, kirurgët dhe anesteziologët kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të jenë në vendet e tyre të punës dhe do të ofrojnë shërbime për të gjitha rastet urgjente, duke mos lejuar që të rrezikohet shëndeti dhe jeta e pacientëve. Megjithatë, operacionet e planifikuara do të mbeten të pezulluara derisa të ketë një zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre.













