Bashkimi Evropian po përgatit një model të ri zgjerimi, i cili vendeve kandidate u hap mundësinë për qasje në pjesë të tregut të përbashkët edhe para anëtarësimit të plotë në BE. Çfarë përmban ky model?
Bashkimi Evropian do ta hapë ekonominë e tij për vendet që presin anëtarësimin, me kusht që ato të përshtaten me objektivat e bllokut në politikën e jashtme dhe në aspektin strategjik. Kjo thuhet në një draft-propozim të Komisionit Evropian, të publikuar nga portali Politico.
Përfitimet ekonomike mund të kushtëzohen dhe të tërhiqen nëse vendet joanëtare kundërshtojnë parimet demokratike ose ndajnë teknologji të ndjeshme me shtete që BE-ja i konsideron rivalë strategjikë.
Vendeve kandidate do t’u ofrohet një “integrim gradual” në tregun e përbashkët, duke përfshirë tregti më të lehtë dhe qasje në programet kërkimore gjatë kohës që vazhdon procesi i anëtarësimit.
“Tregu i përbashkët është prioriteti i parë për konvergjencën ekonomike”, thuhet në dokument.
Në të shtohet se integrimi më i hershëm do të hapte mundësi të reja për kompanitë evropiane, do të forconte zinxhirët e vlerës dhe do të reduktonte varësitë strategjike.
Sipas dokumentit, Komisioni do të vlerësojë se ku përputhja me rregulloret dhe kapacitetet administrative mundësojnë pjesëmarrje më të thellë në kërkim, inovacion dhe bashkëpunim industrial.
Drafti, i hartuar nën mbikëqyrjen e këshilltarit të Ursula von der Leyen, Aleksandar Adam, parashikon ndryshime në qasjen e BE-së ndaj vendeve kandidate. Aktualisht, pjesa më e madhe e përfitimeve ekonomike nga bashkëpunimi më i ngushtë është e rezervuar për vendet anëtare, ndërsa shteti i fundit që iu bashkua Unionit ishte Kroacia në vitin 2013.
Maqedonia e Veriut ndër vendet që nuk do të marrin një udhërrëfyes?
Sipas Politico, Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi do të merrnin “udhërrëfyes” të veçantë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit gjatë viteve të ardhshme.
Për Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Turqinë thuhet se procesi vazhdon të zvarritet, gjë që rrit frikën për largimin e tyre nga BE-ja dhe afrimin me Rusinë ose Kinën.
Plani parashikon që qasja në tregun e përbashkët të varet edhe nga përafrimi me politikën e jashtme të BE-së, si dhe nga bashkëpunimi në fushat që lidhen me kontrollin e eksporteve, sanksionet, investimet dhe mbrojtjen e teknologjive të ndjeshme.
Ndër sektorët që po shqyrtohen për integrim më të thellë janë teknologjitë kuantike, bioteknologjia, inteligjenca artificiale dhe industria hapësinore.
Sipas propozimit, integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset edhe para anëtarësimit të plotë. Në dokument theksohet se qëllimi përfundimtar mbetet anëtarësimi i plotë, por se procesi kërkon kohë dhe zbatimin e reformave afatgjata.
Në të njëjtën kohë, thuhet se përfitimet nga integrimi gradual mund të pezullohen ose të tërhiqen nëse detyrimet e ndërmarra nuk përmbushen.














