Në gjimnazin e vetëm të mesëm në Dibër, “28 Nëntori”, në afatin e parë të regjistrimeve për vitin shkollor 2026/2027, janë plotësuar vetëm 32 vende nga gjithsej 238 të planifikuara për nxënës.
Sipas Bora Korumit, profesoreshë dhe përgjegjëse për regjistrimet në këtë institucion, deri tani kanë aplikuar 44 nxënës që kanë përfunduar arsimin fillor: 12 prej tyre për paralelet në gjuhën maqedonase dhe 32 për ato në gjuhën shqipe. Nga këta aplikantë, janë pranuar gjithsej 32 nxënës, prej të cilëve 7 në mësim në gjuhën maqedonase dhe 25 në gjuhën shqipe. Ajo thekson se pritet rritje e interesimit në afatin e dytë të regjistrimeve, i cili zhvillohet më 23 të këtij muaji.
Sipas Konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), për këtë gjimnaz janë paraparë gjithsej 238 vende për nxënës në të dy gjuhët e mësimit. Prej tyre, 102 vende janë për 3 paralele me mësim në gjuhën maqedonase, ku 34 prej tyre i takojnë paraleles rajonale në fshatin Mogorçë, ndërsa 136 vende janë për 4 paralele me mësim në gjuhën shqipe.
Kushti për regjistrim është minimumi 60 pikë. Për afatin e dytë dhe atë të gushtit (20 gusht), si edhe në vitet e kaluara, pritet që ky prag minimal të ulet.
Në krahasim me afatin e parë të vitit të kaluar shkollor 2025/2026, kur ishin regjistruar 95 nxënës (25 në gjuhën maqedonase dhe 70 në gjuhën shqipe), këtë vit numri është dukshëm më i ulët.
Sipas vlerësimeve, rënia e numrit të nxënësve është një trend që vazhdon prej disa vitesh dhe lidhet me uljen e numrit të nxënësve në shkollat fillore, si pasojë e emigrimit të popullsisë, si dhe me zgjedhjen e një pjese të tyre për të vazhduar arsimin në shkolla të mesme profesionale në Strugë, Ohër, Tetovë dhe Shkup.













