Një skandal i ri përgjimi ka përfshirë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Protagonist i këtij përgjimi ka qenë sekretari i përgjithshëm i Qeverisë aktuale, ku nga biseda siç thuhet nga portali Ekspres, bëhet fjalë për kurdisje të një tenderi.
Në audio regjistrimin e publikuar dëgjohet se si Rashkovski bisedon për furnizim me një ATM sistem për kontrollin e fluturimeve përmes një kompanie italiane me një vlerë prej 7 milionë euro. Këto biseda janë zhvilluar nga fundi i vitit të kaluar dhe dëgjohen zërat e Rashkovskit me kryetarin e bordit të ndërmarrjes së kontrollit të fluturimeve M-Nav dhe shefin e kabinetit të ministrit të Transportit dhe Lidhjeve.
Por sekretari gjeneral Rashkovski ka hedhur poshtë këto përgjime që janë publikuar në portalin Ekspres.
Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për kurdisje të tenderit dhe se biseda ishte regjistruar nga drejtori i teknikës i M-Nav, Kliment Çepunjovski. “Nuk bëhet fjalë për asnjë tender, por bëhet fjalë për dinamikën e zbatimit të tenderit që kishte nisur të realizohet nga viti 2016. Këto pretendime portali Lider dhe të tjerët do të duhet ti dëshmojnë në gjyq”, ka shkruar Rashkovski.