Për vetëm katër ditë, regjistrohen 3 viktima nga fruthi. Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë mbrëmjes së një nate më parë ndërroi jetë foshnja 13 muajshe nga fshati Pallaticë i Tetovës. Ky është rasti i tretë, pas foshnjës nga Sveti Nikolla që ndërroi jetë një ditë më parë dhe foshnjës 6 muajshe nga Kumanova, që humbi jetën ditën e premte, për shkak të komplikimeve të shkaktuara nga fruthi. Që të tre viktimat siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë qenë të vaksinuar.
Ministria e Shëndetësisë
“Në orët e mbrëmjes ndërroi jetë foshnja 13 muajshe nga rajoni Tetovës nga komplikimet e shkaktuara nga fruthi, në Klinikën për Fëmijë, e cila nuk ka qenë e vaksinuar. Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhje për vdekjen e fëmijës si pasojë e komplikimeve nga fruthi, një sëmundje që mund të parandalohet me anë të vaksinimit”.
Po ashtu, Ministria informon se një ditë më parë edhe shtatë pacientë të rinj janë paraqitur për kontroll në Klinikën për Sëmundje Infektive. Prej tyre tre janë mbajtur për mjekim në klinikë edhe atë një 32 vjeçare nga Saraji, një fëmijë 1 vjet e gjysmë nga Kisella Voda dhe një fëmijë 1 vjet e gjysmë nga Çairi. Edhe ata nuk kanë qenë të vaksinuar. Katër pacientë pas kontrollit janë lëshuar për mjekim shtëpiak.
Të dhënat e Ministrisë thonë se në Klinikën për Sëmundje Infektive gjenden 26 pacientë prej të cilëve katër janë të rritur, 22 fëmijë, ndërkaq shumica e të prekurve janë në moshë prej 1 vjet e gjysmë. Ata më tej bëjnë të ditur se, numri i personave të prekur nga fruthit arrin pothuajse në 200. Kurse vaksinën kundër fruthit deri tani e kanë marrë mbi gjashtë mijë persona.
Nga dikasteri i Shëndetësisë edhe njëherë apelojnë deri te të gjithë prindërit, që me përgjegjësi t’i pranojnë rekomandimet për vaksinim me vaksinën MRP, e cila mbron nga kjo sëmundje serioze infektuese dhe thonë se vaksina nga shtëpitë shëndetësore merret falas dhe të njëjtat janë me kualitet të verifikuar. Emine Ismaili /SHENJA/