Nga Abdulla Mehmeti
Më 1944, edhe pse shqiptarët luftuan më shumë se të tjerët për çlirimin e Maqedonisë, ata u mashtruan nga politikanët e asaj kohe, për pak pushtet, privilegje dhe interesa personale. Më pastaj, u tha se nuk është koha dhe nuk lejojnë rrethanat për sigurimin e barazisë së plotë të popullit shqiptar në ish Republikën popullore (socialiste) të Maqedonisë nën ish Federatën Jugosllave, meqë kështu deshi Serbia dhe Rusia. Por, edhe këta politikanë e hëngrën kokën e tyre, sepse i zuri mallkimi i popullit shqiptar.
Më 1991, edhe pse shqiptarët kanë pasur status të popullit shtetformues sipas kushtetutës së vitit 1974, u degraduan në pakicë kombëtare, me ndihmën e politikanëve të tyre të shitur, sërish për pak pushtet fiktiv dhe privilegje personale. Por, edhe këta politikanë e hëngrën kokën e tyre, sepse i zuri mallkimi i popullit shqiptar.
Më 2001, edhe pas sakrificave të mëdha të popullit shqiptar dhe arritjes së një marrëveshje me ndihmën e faktorit ndërkombëtar (e njohur si Marrëveshja e Ohrit), me të cilën u ndërpre konflikti i armatosura dhe u sigurua një nivel më i lartë i barazisë së shqiptarëve në Maqedoni, politikanët tradhtarë dhe të shitur, për pak pushtet fiktiv dhe interesa personale, e kontabanduan edhe këtë marrëveshje, lejuan të ndryshohet Preambula e kushtetutës, ndërsa për zëvendësim të emrit shqiptar dhe të gjuhë shqipe pranuan që shqiptarët të cilësohen si përqindje, 20% e banorëve, përkatësisht 20% e atyre që e flasin këtë gjuhë, edhe pse gjuha shqipe është më e vjetra ndër gjuhët, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në botë! A ka turp më të madh se ky, kur vendlindja e alfabetit të gjuhës shqipe është qyteti i Manastirit në Maqedoni?!
Më 2017, kur u arrit Marrëveshja me Greqinë fqinje për ndryshimin e emrit të shtetit, politikanët shqiptarë heshtën si hutat, për ta shpëtuar lëkurën e tyre prej agjentësh të huaj, thellësisht të korruptuar dhe me dosje të trasha të krimeve gjatë qeverisjes në pushtetin e mëparshëm.
Më 2018, tani kur duhet të bëhen ndryshime të mëdha, me emrin e ri të shtetit dhe konceptin e tij, integrimin e vendit në strukturat evropiane dhe euroatlantike, vetëm për t’i mbajtur pozitat e tyre në pushtet, për ta shpëtuar lëkurën e tyre të shitur për daulle të interesave sllave e greke, sa nuk e kanë shpallur hapur shkrirjen (bluarjen) e shqiptarëve në popull tjetër dhe në partitë e tyre, LSDM dhe OBRM, duke i lënë në harresë të drejtat kolektive të shqiptarëve, të cilat duhet të garantohen përmes ndryshimeve të reja kushtetuese. Edhe këta politikanë, një nga një do ta hanë kokën e tyre, sepse do të zë mallkimi i popullit shqiptar dhe i historisë!
Si mund të shpjegohet që përherë të mos jenë rrethanat e përshtatshme për realizimin e të drejtave të ligjshme të popullit autokton shqiptar në Maqedoni, si më 1944, 1991, 2001, 2017, 2018, ndërsa përherë të jenë rrethanat e përshtatshme që populli sllav në Maqedoni të krijojë shtet dhe t’i realizojë aspiratat e tij historike, edhe në territoret etnike shqiptare, në trojet e të parëve tanë pajonë, maqedonas, ilirë, dardanë, me të cilat asgjë nuk kanë të përbashkët sllavët dhe grekët, aq më pak maqedonasit e sotëm, përveç pazareve të turpshme me mercenarët dhe tradhtarët shqiptarë, të vjetër dhe të ri?!