Do të propozoj në organet e partisë, që propozimi jonë për ministër për byrek të jetë Ziadin Sela. Kjo është kërkesa e tij, ideja e tij dhe supozoj se si bartës i atij resori, mirë do ta kryente punën, ka thënë Artan Grubi nga BDI.
Reagimi i Grubit vjen pas deklaratës së Selës dhe takimit të realizuar me kryeministrin Zoran Zaev se ASH-ja nuk do të heq dorë nga Ministria e Shëndetësisë dhe se nuk pranon pozicione të improvizuara.
Ai ka thënë se Aleanca mbetet pjesë e Qeverisë derisa zgjat procesi i reformave.
“Ne nuk do të pranojmë pozicione të paramenduara, të cilat janë poshtëruese për ASH-në. Unë dhashë një ide që të ketë një zv/kryeministër për të çuar byrek dhe këtë do të kisha ja dhuruar me kënaqësi BDI-së. Ne në Maqedoni kemi një problem, se nuk i vlerësojmë njerëzit dhe partitë e suksesshme”, ka thënë Sela pas takimit të shkurtë me liderin e LSDM Zoran Zaev.
Nga BDI edhe pas takimit mes Zaevit dhe Selës thonë se për ta dhe LSDM-në ASH-ja është përrallë e përfunduar.