Më shumë se 300 fluturime janë anuluar dhe qindra tjera janë shtyrë, për shkak të borës e akullit në Aeroportin e Frankfurtit.
Rreth 330 fluturime janë anuluar deri në orën 17:00 pas reshjeve të mëdha të borës dhe temperaturave të acarta që kanë goditur qendrën ekonomike të Gjermanisë, Frankfurtin, shkruan Periskopi.
Ndërsa, autoritete nga aeroporti kanë thënë se mund të anulohen edhe fluturime të tjera sot, nga 1,260 fluturimet e parapara. Kështu ka thënë një zëdhënës i Aeroportit të Frankfurtit, duke shtuar se në orët në vijim moti mund të përmirësohet.
I mbyllur për disa orë ka qenë edhe aeroporti në Dyseldorf, ka raportuar agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Moti me borë e temperature të ulëta, ka paraqitur probleme të shumta edhe në transportin hekurudhor në Gjermani, duke imponuar shtyrjen dhe anulimin e udhëtimeve të trenave të transportit dhe mallrave.