Thursday, March 26, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeMaqedoniBardhyl Tushi: Kush do të përgjigjet për ujin që mungon në Strugë?

Bardhyl Tushi: Kush do të përgjigjet për ujin që mungon në Strugë?

Kush do të përgjigjet për ujin që mungon në Strugë?

Shkruan Bardhyl Tushi

Kriza e ujit të pijshëm në Strugë nuk është më thjesht një problem teknik – është një dështim i rëndë institucional dhe një pasojë direkte e keqmenaxhimit, abuzimit dhe mungesës së plotë të përgjegjësisë nga ata që kanë drejtuar ndërmarrjet publike dhe pushtetin local dekadat e fundit.

Pavarësisht ndërhyrjeve të institucioneve shtetërore dhe projekteve të financuara nga faktorë ndërkombëtarë, situata jo që nuk u përmirësua, por u përkeqësua. Arsyeja është e qartë: mungesa e vullnetit për të menaxhuar drejt dhe prania e interesave të ngushta që kanë mbizotëruar gjate gjithe kohes se qeverisjes locale disa vjecare.

Bashkimi i ndërmarrjes së Strugës me atë të Ohrit, në kuadër të projektit për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, duhej të ishte një hap përpara. Në vend të kësaj ndermarja u kthye në një tjetër kapitull të dështimit. Krijimi i ndërmarrjeve të reja lokale vetëm sa thelloi kaosin, duke hapur rrugë për keqmenaxhim dhe keqperdorime të tejskajshme.

Kulmi i këtij skandali ishte shitja e dy objekteve kyçe të ndërmarrjes publike. Këto prona strategjike, që duhej të garantonin funksionimin dhe stabilitetin e ndërmarrjes, u shitën për shuma qesharake. Pasojat ishin katastrofike: ndërmarrja u zhyt në borxhe dhe u detyrua të paguajë qira për objekte që dikur i kishte në pronësi.

Ky nuk është vetëm keqmenaxhim – kjo është papërgjegjësi e pastër dhe dëm i drejtpërdrejtë ndaj interesit publik. Edhe më alarmante është fakti se deri më sot, askush nuk ka dhënë llogari për këto vendime.

Ndërkohë, ndërmarrjet publike ishin kthyer në një strehë për drejtues të papërgjegjshëm, të cilët, njëri pas tjetrit, kanë keqpërdorur pozitën e tyre. Nuk ka pasur asnjë vizion zhvillimor, asnjë strategji afatgjatë dhe asnjë përpjekje serioze për të stabilizuar furnizimin me ujë.

Sot, situata ka arritur në një pikë kritike: edhe vetë burimet e ujit janë vënë në rrezik. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një anarkie të krijuar në nivel të pushtetit lokal, ku mungon kontrolli, transparenca dhe përgjegjësia.

Nëse kjo gjendje vazhdon dhe nëse nuk ka hetim serioz dhe mbajtje përgjegjësie për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë dështim, Struga rrezikon të përballet me një krizë edhe më të thellë në të ardhmen.

Uji i pijshëm nuk është privilegj – është e drejtë themelore. Dhe mohimi i kësaj të drejte për qytetarët e Strugës është një skandal që nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet më!

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!