Zekolli: Brenda muajit do të nisin punimet për autostradën Shkup- Bllacë
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli në emisionin “Click plus” në TV21 ka thënë se punimet në autostradën Shkup- Bllacë do të fillojnë brenda këtij muaji.
Më 30 shtator është mbyllur faza e tenderimit për realizimin e punimeve, ku siç bën të ditur Zekolli, kanë aplikuar gjithsej 11 kompani të vendit dhe atyre ndërkombëtare.
“Mund të them se është zvogëluar rrethi në 3 kompani që plotësojmë kushtet. Ajo që më gëzon më shumë është se është brenda buxhetit të paraparë. Ka shifra që janë shumë më të kapshme se sa që kemi menduar dhe brenda muajit do të kemi shënimin e fillimit të punimeve të kësaj rruge. Uroj që kushtet klimatike të mos na e vështirësojnë situatën për të ngecur në janar ose shkurt dhe në pranverën e hershme për të vazhduar me energji dhe rritëm të plotë, ku për dy vjet e gjysmë është paraparë të përfundojë ky projekt”, ka thënë zv/ministrja Zekolli.













