Wednesday, December 3, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionRebelimi i qetë: Gjej qetësinë tënde

Rebelimi i qetë: Gjej qetësinë tënde

Rebelimi i qetë: Gjej qetësinë tënde

Të jesh sot në moshën e thyer, pjesë e asaj shtrese të mesme që dikur idealizmin e kishte si dritë udhërrëfyese, është njësoj si të jesh në një film që nuk e kupton më. E kaluara, e mbushur me ideale të mëdha, sot duket si një ëndërr e largët, ndërsa e tashmja është një cikël i pafund humbjesh, disfatash dhe ankthi për një të nesërme që nuk ka as emër, as perspektivë. Jeta ka marrë një dinamikë çmendurish: kërkesa dhe shpenzime galopante, ndërsa shërbimet reale, kujdesi minimal dhe standardet shoqërore janë zhdukur si avulli. Rinia, e shpërndarë këtëj e andej, na ka lënë vetëm, duke u përballur me faturat, duke pritur vetëm ndonjë lajm për një rritje çmimi dhe duke menduar: A kjo ishte gjithçka?

Në këtë vorbull, ku të gjitha shkaqet të shtyjnë drejt depresionit, njeriu natyrshëm pyet: Të shprehem? Të revoltohem? Të protestoj? Apo thjesht të hakmerrem kundër kësaj shfaqjeje të padrejtë duke u mbyllur në vetvete? Jeta pa aktivitete, pa mbështetje dhe pa perspektivë nuk i duhet askujt. Por pikërisht në këtë errësirë ku s’di çfarë të bësh, shfaqet humori i zi, shpëtimtari ynë. Pse të hakmerresh ndaj botës kur mund të hakmerresh ndaj depresionit?

Nëse nuk ka perspektivë të identifikuar mirë, le ta shpallim aventurë!

E ardhmja jonë e ndritur nuk do të vijë nga ndonjë plan pesëvjeçar. Ajo do të vijë nga vendimi ynë për të mos e marrë seriozisht këtë kaos të panevojshëm. Po, idealizmi i vjetër mund të ketë dështuar, por ai i riu, i quajtur “Rezistencë Qëndrestare me Humor”, sapo ka nisur. Mos u mundoni të jeni heronj. Bëhuni Mjeshtra të Qetësisë. Gjeni ato aktivitete të vogla që nuk ju kushtojnë asgjë, por që ju kujtojnë se ende jua merr dora diçka. Kthejuni një hobi të vjetër, lexoni një libër, ose thjesht shëtisni dhe qeshni me vete kur mendoni sa shumë energji keni shpenzuar për gjëra që s’e meritonin.

Dhe vjen sfida më e madhe: Të tjerët. Kur vendos t’i rikthesh vetes një minimum qetësie dhe dinjiteti, gjithmonë shfaqen “dashamirët” që nuk të lënë në rehatinë tënde të rikrijuar. Ata që presin, kërkojnë, gjykojnë dhe të hedhin sërish në vorbull. Si ta shmangësh atë pengesë që të tjerët e krijojnë për ne? E thjeshtë: Ji i vetëdijshëm që lumturia jote e vogël dhe e qetë është revolucioni yt më i madh. Standardet e tua të reja – standardi i një kafeje të ngrohtë, standardi i një bisede të mirë – nuk janë për t’u negociuar. Thjesht pranojeni faktin se jo të gjithë do ta kuptojnë këtë zgjedhje. Dhe kjo është në rregull. Sepse e ardhmja e ndritur nuk është për ta, por për ty.

Nëse shoqëria nuk na ofron standarde dinjitoze, ne mund t’i vendosim standardet tona. Cikli ynë jetësor nuk ka nevojë për një fund të lavdishëm. Mjafton një fillim i ri ditor, i fortë, dhe i mbushur me kurajën për të thënë: “Unë do të jetoj, sepse unë kam kaluar gjithë këtë, dhe askush tjetër nuk do të më diktojë si të gjej qetësinë time, madje as ata që mendojnë se duhet të bëjnë ndryshe!” 
Autor: Vait Ajro

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!