Shoqata “Nëna Tereze” në Strugë zhvillon takim me Konsullin e Shqipërisë, Petrit Musai
Me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Tereze” me seli në Strugë, Jashar Pollozhani, zhvilloi një takim të përzemërt me Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë në Strugë, Petrit Musai.
Takimi u zhvillua në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Strugë, në një atmosferë vëllazërore dhe miqësore, ku u diskutua për veprimtarinë humanitare të shoqatës, si dhe për nismat dhe projektet e Konsullatës në shërbim të komunitetit.
Gjatë takimit, Pollozhani i dorëzoi konsullit Musai monografinë “Bamirësia s’ka kufi”, si shenjë respekti dhe për të dokumentuar rrugëtimin 35-vjeçar të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Tereze”.
Monografia pasqyron historinë, veprimtarinë dhe përkushtimin e shoqatës ndër vite në fushën e humanizmit dhe bamirësisë.
(Struga Ekspres)
















