Nëse kryetari i Komunës të Strugës vendos të dalë në aeroport dhe në pikat kufitare për të pritur mërgimtarët, kjo nuk do të ishte aspak e tepërt.
Përkundrazi, do të ishte një shenjë respekti dhe falënderimi për njerëzit që prej shumë e shumë vitesh mbajnë gjallë një pjesë të madhe të ekonomisë lokale.
Në fund të fundit, kush e mbush Strugën gjatë verës? Kush i mbush restorantet, kafenetë, marketet, plazhet dhe apartamentet? Në masë të madhe janë pikërisht mërgimtarët.
Ata nuk vijnë vetëm për të takuar familjet e tyre. Ata sjellin konsum, investime dhe një gjallëri që qyteti e pret çdo verë. Për shumë biznese lokale, sezoni fillon kur fillojnë të vijnë mërgimtarët.
Prandaj, një pritje simbolike nga kryetari nuk do të ishte thjesht një fotografi protokollare. Do të ishte një mesazh se Struga e njeh dhe e vlerëson kontributin e diasporës, e cila prej vitesh është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale.
Sepse realiteti është i qartë, mërgimtarët shpenzojnë, investojnë dhe mbajnë në lëvizje një pjesë të madhe të aktiviteteve ekonomike të qytetit. Dhe kur dikush kontribuon kaq shumë për vendlindjen e tij, meriton respekt dhe mirënjohje.
Madje, po të shihet nga ky këndvështrim, kryetari do të kishte më shumë arsye të presë mërgimtarët sesa turistët. Këta të fundit janë gjithnjë e më të rrallë në Strugë, pothuajse fare nuk ka.
Turistët e huaj, në pjesën më të madhe, zgjedhin të qëndrojnë në Ohër, ndërsa Struga vazhdon të mbështetet kryesisht te diaspora. Prandaj, nëse dikush meriton një mirëseardhje të veçantë, janë pikërisht mërgimtarët që çdo verë mbajnë gjallë ekonominë lokale.
(Struga Ekspres)













