Kryeministri Hristijan Mickoski sqaroi se zgjidhja e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës parasheh dy pjesë, ku pjesa teorike do të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, turke ose angleze, ndërsa pjesa praktike do të zhvillohet ekskluzivisht në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Mickoski theksoi se nuk ekziston një provim jurisprudence që jepet tërësisht në gjuhën shqipe. Sipas propozimit të dërguar në Komisionin e Venecias, pjesa e parë përfshin pyetje teorike nga studimet universitare, ndërsa kandidatët që e kanë përfunduar arsimin e lartë në një gjuhë tjetër nga maqedonishtja do të mund të zgjedhin se në cilën prej këtyre gjuhëve do ta japin këtë pjesë.
Pjesa e dytë përfshin simulimin e dy proceseve gjyqësore – një penal dhe një civil – dhe do të jepet në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik. Mickoski shpjegoi se kjo zgjidhje mbështetet në interpretimin e Komisionit të Venecias për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe në parimin se sistemi gjyqësor funksionon në një gjuhë të përbashkët zyrtare.
Kryeministri akuzoi BDI-në se gjatë më shumë se 20 viteve nuk e kishte zgjidhur këtë çështje, ndërsa tani, sipas tij, po i sulmon përpjekjet e Qeverisë aktuale për të gjetur një zgjidhje. Ai vlerësoi se reagime të tilla mund të nxisin tensione ndëretnike.
Mickoski shtoi se propozimi i është dorëzuar Komisionit të Venecias dhe se Qeveria po pret mendimin e tij.














