Sot, Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi fillimin e funksionimit të sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar “One Stop Shop” me Republikën e Shqipërisë.
Me këtë vendim përmbyllet procesi i vendosjes së këtij sistemi me të gjitha shtetet fqinje që nuk janë pjesë e zonës Shengen. Sipas njoftimit, sistemi tashmë funksionon me Serbinë dhe Kosovën, ndërsa për ta finalizuar plotësisht mbetet vetëm nënshkrimi i marrëveshjes mes ministrive të punëve të brendshme të dy vendeve.
Zbatimi i “One Stop Shop” fillimisht do të nisë në pikën kufitare Qafë Thanë, ndërsa më pas pritet të shtrihet edhe në pika të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Gjatë vitit 2025, në këto pika janë regjistruar gjithsej 4.581.724 udhëtarë, prej të cilëve 2.318.080 vetëm në Qafë Thanë, çka tregon rëndësinë e kësaj mase.
Ky sistem synon të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve, të shkurtojë kohën e pritjes dhe të bëjë kalimin kufitar më të shpejtë dhe më efikas.













