Nga Abdulla Mehmeti
Mashtrimi më i madh që u bëhet shqiptarëve në Maqedoni për tri dekada me radhë është deklarimi i udhëheqësve të partive politike të tyre se ato kanë programe, platforma dhe strategji veprimi.
Nëse do t’i kishin pasur këto dokumente orientuese dhe vullnet të mjaftueshëm politik, pse edhe pas tri dekadave të veprimit të tyre, të mbi 20 partive politike sa i kanë pasur shqiptarët e Maqedonisë deri më sot, pse shqiptarët në këtë shtet trajtohen si pakicë kombëtare, gjuha shqipe si gjuhë memece, të cilën e flasin mbi 20% e qytetarëve, flamuri shqiptar të jetë i ndaluar në komunat ku shqiptarët nuk përbëjnë mbi 50% të banorëve të tyre dhe i zvogëluar për 1/3 e madhësisë normale të tij, ndërsa me kushtetutë shqiptarëve u garantohet shkollimi në gjuhën amtare vetëm në nivel të arsimit fillor dhe të mesëm, edhe përkundër faktit se kanë arritur të themelojnë tri universitete të vetët?
Të drejta qytetare, ekonomike dhe sociale, dhe më tepër se kaq, shqiptarët kanë në secilin shtet të botës, por çfarë kanë në shtetin e tyre, në trojet etnike të të parëve, ku janë autoktonë dhe shumicë e popullsisë? Këtë përgjigje duhet ta kërkojnë shqiptarët në Maqedoni nga drejtuesit e partive politike të tyre. Programet dhe platformat e veta politike që kurrë nuk realizohen, këto parti le t’i futin në gota uji nga i cili mund të pinë nga tri herë në ditë!
Meqë kjo është kështu, cila është logjika dhe arsyeja e organizimit politik të këtillë, sa për të ngritur dhe mbajtur në pushtet një grusht oligarkësh të pangopshëm, të korruptuar deri në palcë dhe të përfshirë në krime e tradhti!
Njerëzit e mençur, kur e humbin rrugën, ose kërkojnë ndihmë, ose e ndryshojnë drejtimit e udhëtimit, për të arritur në vendin dhe qëllimin e caktuar, ndërsa ata që vazhdojnë edhe më tej symbyllur, përfundojnë në greminë!
Kush nuk i ka llogaritë e pastra në këtë lojë: partitë politike që vazhdojnë me mashtrimin e qytetarëve, votuesve të tyre, apo qytetarët që verbërisht u besojnë dhe i përkrahin këto parti politike për interesat e veta personale?!
A beson ende dikush se partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni kanë pasur ndonjëherë programe të vetat, platforma dhe strategji, apo kanë realizuar agjenda të huaja politike në dëm të popullit shqiptar?