Monday, April 29, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionMehmedali Hoxha nga Ladorishti i Strugës, mësuesi pishtar, gazetar, redaktor, vizionar,...

Mehmedali Hoxha nga Ladorishti i Strugës, mësuesi pishtar, gazetar, redaktor, vizionar, burrë i besës, fjalës dhe penës së artë

Prof. Dr. Nebi Dervishi

Përkujtesë

(Me rastin e 100 vjetorit të lindjes)
“Mehmedali Hoxhën (5 Janar 1924-1991) – figurë komplekse vizionar dhe burrë i besës, fjalës dhe penës së artë

Më 5 Janar 2024 mbushen plot 100 vjet nga lindja e pishtarit të arsimit Mehmedali Q. Hoxhës (1924-1991) – mësues pishtar, gazetar, redaktor, vizionar, burrë i besës, fjalës dhe penës së artë. Për figurën komplekse të tij, deri tani kanë shkruar: Kalosh Çeliku, Prof. Dr. Selajdin Mehmeti dhe ndonjë tjetër
Numri i struganëve, të cilët tërë jetën e tyre nuk kursyen, as mundin e as sakrificën për të mirën dhe ardhmërinë e ndritshme të kombit shqiptarë në trevat lindore që, vertet mbetet i madh. Njëri nga kjo plejadë e ndritur figurash padyshimin më të vogël është edhe Mehmedali Q. Hoxha ose Mustafa, Vizionar, figurë emblematike e letrave shqipe, figurë e autor i da
shur i fatosave e prionerëve pas vitit 1945, figurë e anatemuar nga sistemi monist komunist, hartues i abetareve dhe librave të leximit, për shkolla fillore, autor i dhjetëra librave me poezi dhe së fundi burrë i fjalës, besës dhe i penës.
Vetëdija e lartë kombëtare, formimin e gjërë kulturor dhe guxim për të shtruar dhe zgjidhur probleme më të ndërlikuara në kulturën e popullit tonë në trevat lindore e verilindore të Shqipërisë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pra pas 1945, nuk lënë vend as për dilema, as për ngurrim në punën e vyerë të Mehmedali Mustafës – Hoxhës. Shumësia e problemeve që trajtoi, ballafaquar me kohën kur punoi e jetoi, e bëjnë atë figurë të ndritur e komplekse të kohës dhe lejojnë të nxirren përherë vlera të reja.
Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare i diktoi Mehmedali Mustafa- Hoxhës, një veprimtari të dendur e të shumllojshme; si” Mësues pishtar, pedagog, gazetar, redaktor i Flakës së Vllazërimit, redaktor revistash për fëmijë, hartues e përpunues tekstesh e abetare shkollore, autor artikujsh të shumtë etj. Të cilat shërbyen si bazë dhe pikënisje e zhvillimit të mëtejshëm të arsimit dhe shkencës sonë në trevat lindore e verilindore shqiptare, pa vitit 1945. Me këtë formim mjaftonte qoftë edhe një shkëndijë që të vinte në lëvizje mullirin e tij krijues përherë të zgjuar e të ndieshëm.
Mehmedali Mustafa – Hoxha lindi më 5 janar 1924 në Ladorisht të Strugës, rrejdh nga një familje e nderuar me tradita arsimore e kombëtare. Shkollën fillore e kreu në gjuhën serbokroate në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme – Medresenë në Shkup, në prag të Luftës së Dytë Botërore, ndërkaq kursin pedagogjik tremujor në Normalen “Sami Frashëri” në Prishtinë, 1942.
Punën e ndritur të pishtarit të arsimit e nisi në fshatrat e Strugës, së pari në Kalisht, vazhdoi në vendlindje deri 1947, e më pasë kaloi në Shkup.
Në qytetin e lindjes Strugë dhe, në Shkup njihet si njëri ndër mësuesit më të zellshëm dhe paluhatshëm në edukimin jo vetëm arsimor, por edhe kombëtar të brezave të tëra, të cilët pastaj me sukses iu kthyen vendlindjes si kuadro me përgatitje të lartë profesionale. Kjo e gëzonte jashtëzakonisht mësuesin pishtar dhe pedagogun shembullor.
Miqtë, kolegët dhe të gjithë ato që e kanë njohur thonë se, Mehmedaliu ka qenë i apasionuar pas leximit të veprave të ndryshme, sidomos ato të traditës kombëtare.
Pasi u vendos në Shkup, në vitin 1947, fillimisht punoi në redaksinë e “Flakës së Vllazërimit”, si gazetar e redaktor. Nga viti 1953, kur për herë të parë doli revista për fëmijë “Fatosi”, Mehmedali Hoxhën e gjejmë kryeredaktor të saj, derisa u pensionua. Është ndër autorët e parë që u paraqit para lexuesve në Maqedoni me libra e vjersha për fëmijë. Dhe ka të drejtë shkrimtari e publicisti Kalosh Çeliku kur thotë në tribunën e takime letrare, se pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova kishte Esat Mekulin, ndërsa shqiptarët në Maqedoni kishin Mehmedali Hoxhën, vizionarin, burrin e besës, fjalës dhe penës.
Veprimtaria e tij letrare është si vijon:
Libri i parë për fëmijë “Vjersha” (1952) së bashku me Lutfi Rusin, kryeredaktor i “Detska Radost”, themelues dhe babai i “Gëzimit” dhe “Fatosit” (revista për fëmijë në Maqedoni) dhe autori i disa librave për fëmijë:
“Te kroni” (1960), “Kur fryn era” (1962), “Atje mbi kodrinë” (1974), “Ditët tona” (1979), “Këngë shkollore” (1984), “Kur linda” )1971), “Në sytë e majit” (1973), “Vashëzat shkollore” (1976), “Qepallat e verës” (1985), “Ma thuaj emrin” (1989 – përzgjedhje Prishtinë), “Një brez livadh” (1990 – përzgjedhje Tiranë etj).
Mehmedali Hoxha u lind dhe u rrit në një familje me tradita arsimdashëse dhe patriotike, i cili që në fëmijërinë e hershme u brumos me ndjenjat e atdhedashurisë dhe etjes për dije. Fshati legjendar ku lindi poeti Mehmedaliu, Ladorisht, gjatë historisë më të re tri herë u dogj e u shkrumua nga pushtuesit e huaj. Nga ky fshat u viktimizuan dhe u flijuan shumë të rinj “për të vetmen fjalë – liri”. Dhe fjala liri thuajse do ta përshkrojë mbarë poezinë e tij për fëmijë, do të shprehet Prof. Dr. Selajdin Mehmeti në librin e tij në dorëshkrim.
Pra, Mehmedali Hoxha është njëri nga prijëtarët e parë të letërsisë shqipe për fëmijë në Maqedoni.
Ai ishte mësusi i shumë krijuesve të rinjë që sot janë emra të dëshmuar në letërsinë shqipe: Abdulaziz Islami, Kalosh Çeliku, Fadil Bekteshi, Vahit Nasufi, Fejzi Bojku, Halil Zendeli, Ramadan Zeneli, Puntorie Ziba –Muça, Abdullah Ademi, Nuhi Vinca, etj.
Mehmedali Hoxha shquhet me fizionominë dhe individualitetin e tij politik, të cilën e ka shprehur që në përmbledhjet e para e vjersha, siç është ajo “Te kroni” (1960), etj.
Në qendër të interesimeve të poetit do të jetë fati humanist, fati i njeriut të thjeshtë, fatin e të cilit “n’dorë e kishte – vetë xhelati”. Me gjithë vuajtjet e mëdha e do t’i mposhtë të gjitha mizoritë e shkaktuara nga agallarët dhe bejlerët. Autori përkujton jetën e këtij njeriu me plot halle dhe brenga dhe e përvcjell atë me kujdesin e një pedagogu dhe mësuesi pishtar i mirëfilltë.
Duke i konkretizuar artistikisht temat dhe motivet e vjershave të veta, poeti Mehmedali paraqet krenarinë e së kaluarës të popullit të vet dhe kur “plasi lufta çlirimtare, i madh e i vogël- rroku armët – të luftojë për liri”. Në këtë luftë u shquan shumë trima që ranë në altarin e lirisë. Në vargjet e tij, ai i bëri të pavdekshëm figurat e shumë heronjve tanë, si Emin Durakun, Ibe Palekuqit – vajzës trime dibrane e cila luftoi si “sorkadhe shqiptare për lirinë” i këndoi Liman Kabës- që luftoi dhe u vra trimërisht – që brezat e ardhshëm të jetojnë në liri, sepse “Liria është më e shtrenjta” – thotë autori, i këndoi Xheladin Zeqirit – një trim i rrallë, Bajram Shabanit – që ra si trim “për mëmëdhenë”. Në personazhet e këtyre heronjve autori do t’i mishërojë tiparet më të mira që i stolisin ata, si humanizmi, trimëria dhe guximi. Ai shpreh simpati për këto figura sepse janë të guximshëm e trima, dhe triunfojnë mbi të këqijat e luftës, duke mposhtë krimin dhe kriminelët. Vdekja e tyre fizike dhe tragjikja i bënë ata të pavdekshëm shpirtërisht. Pikërisht nga e kaluara e hidhur e nga lufta e përgjakshme poeti merrë materialin për vjershat e tij. Dhe në vjershat e tij ai i trajton fëmijët si të barabartë me veten e vet duke u rrëfyer atyre për përjetimet e hidhura të tij. Prania e tij në vjershat shihet herë në rolin e përshkruesit e herë në rolin e vëzhguesit, duke krijuar kështu bindjen se për atë që u rrëfen fëmijëve e ka përjetuar në fëmijërinë dhe se i kujtohet tani në pleqëri. E gjithë kjo krijon atmosferën e afërsisë së poetit prijëtar me lexuesit e vegjël, të cilët e parafytyrojnë atë si një shok shumë të afërt me ta. Dhe kjo është e vërtetë. Në vjershat e tij, ai shpreh dashurinë e madhe dhe besnikërinë për ta. Me vargjet e tij, ai u zbulon atyre një botë të tërë magjepsëse, një botë ku çdo gjë gjallëron, një botë ku s’ka vetëm mjerime e vuajtje, por ka edhe lojë, shaka, por edhe sinqeritet, një botë ku ata ballafaqohen për herë të parë me probleme jetësore, të cilat duhet t’i zgjidhin. Ai vazhdimisht i vëzhgon ata, i përcjell hap pas hapi, gëzohet bashkë me ta, kur i sheh me libra në dorë të etshëm për të fituar sa më shumë dije dhe për t’u aftësuar në jetë.
Vjershat e Mehmedali Hoxhës, dallohen edhe për ndërtimine tyre tingullor. Një pjesë e tyre është plot shprehje onomatopike dhe fjalë lodruese, të cilat i adhurojnë mjaftë fëmijët. Në vjershat e tij ndeshin në mjaft shprehje metaforike, epitete, krahasime, etj, që i bëjnë ato më të gjalla dhe më tërheqëse; rrëfimi në to është i gjallë dhe i rrjedhshëm që u japin bukuri atyre, kurse ndërrimi i vargjeve të shkurtëra dhe të gjata paraqet ritmin dhe dinamikën e zhvillimit të veprimit në vjershë. Vargjet që i ndeshim më dendur janë vargjet katërrokëshe, gjashtë e tetërrokëshe, etj. Vargjet e vjershave të tij janë të lehta, të qarta dhe të kuptueshme, për të gjitha grupmoshat e fëmijëve. Ai është poet lirik për fëmijë dhe i afërt për ta. Kjo shihet nga dashuria dhe besnikëria që tregoi ai për ta. Mehmedali Hoxha edhe pas 32 vitesh që u nda nga kjo botë, mbetet një poet spontan i thjeshtë e modest dhe çdo herë i guximshëm për biseda të thjeshta me fëmijët, duke u paraqitur herë si fëmijë e herë si i rritur e herë si ëndërrimtar i madh e mbi të gjitha – poet.
Dhe ka të drejtë Prof. Selajdin Mehmeti kur thotë se vjershat e Mehmedali Hoxhës shquhen për intonacionet lirike që përshkohen nga emocione të ndryshme dhe të cilat bashkë me teknikën që shtjellohen në to formojnë një unitet të veçantë. Begatia e motiveve, larmia, gjërësia dhe vlerat artistike e vjershave të Mehmedali Hoxhës, e radhisin atë ndër poetët e njohut jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë.
Mehmedali Hoxha u shqua edhe në hartimin e Abetares në gjuhën shqipe, me të cilën mësuan me dhjetra gjenerata dhe qindra e mijëra nxënës në Kosovë e në Maqedoni nga viti 1967 e në vazhdim. Ai hartoi dhe redaktoi disa libra leximi për klasët fillore, me njërën prej tyre ka mësuar edhe autori i këtij portreti në vitin 1964, në kl. e katërt të fillores.
Mehmedali Hoxha si shumë mësues e intelektualë shqiptarë përparimtarë të shquar në trevat lindore, nuk shihej me sy të mirë nga pushtetmbajtësit sllavokomunist, të cilët e përgjonin dhe ndiqnin çdo lëvizje të këtij intelektuali me përmasa komplekse, duke pritur rastin ta njollosin si antishtetëror dhe antisllav. E tmerrshme, deri ku arrinte ai aparat byrokrat e policor. Ishte fundi i vitit 1969. Në një ndeje rasti, me një grup “miqësh” e poetësh, në mesin e të cilëve Sllavki Janeski e Branko Gapo që i dalin dëshmitarë edhe në sallën e Gjykimit, Mehmedali Hoxha si vizionar dhe me intelegjencë të jashtëzakonshme do të shprehej: “Do të vjen koha kur edhe ju (ka aluduar te Sllavko Janeski – poet e të tjerët të fshinin rrugët e Tiranës”. Të nesërmit forca të mëdha të policisë, pasi rrethojnë bënesën e tij, do të arrestojnë Mehmedalin. Arrestimi dhe dënimi i Mehmedali Hoxhës, puntorit të rrallë në këto hapsira shqiptare, shkaktoi reagime të mëdha në mesin e intelektualëve të Kosovës, të cilëst si një trup i vetëm u ngritën në mbrojtje të figurës së tij. Në burgun famëkeq të Idrizovës Mehmedaliu qëndrroi 18 muaj (fund i 1968 deri 1971). Bashkëvuajtësit shqiptar në këtë burg evokojnë kujtime për këtë figurë emblematike, sidomos për qëndrimin burrëror dhe se ne të burgosurve më të ri na jepte kurajo dhe shpresë, kujton bashkëvuajtësi Z.Irfan Vlashi, nga Velehta e Strugës.
Teksa vrisja mendjen se si ta titulloi këtë shkrim për njërin nga personalitetet më të mëdha dhe më të shquara patriotike, arsimore e kulturore këtu në Maqedoni e më gjërë në gjysmën e dytë të shek. XX, mu imponuan disa tituj ndër të cilat do të veçoja: Mehmedali Hoxha – Figurë emblematike e letrave shqipe: “Figurë e dashur e fatosave e pionerëve’ “Poet, vizionerë, pishtarë i arsimit, mjeshtër e burrë i pendës”; “Hartues i abetareve dhe librave të leximit”, etj.
Ja që, përfundimisht, sidomos duke kujtuar jo pak vjet të jetës dhe veprimtarisë së tij, duke e njohur në vitet e fundit dhe çmuar edhe nga afër, por duke u pajtuar plotësisht me Prof. Dr. Selajdin Mehmetin dhe shkrimtarin Kalosh Çelikun, zgjodha përfundimisht titullin “Mehmedali Hoxha – figurë komplekse, vizionar dhe burrë i besës, fjalës dhe penës së artë”.
Dhe fare në fund, e përmbyll këtë shrim kushtuar Mehmedali Hoxhës, figurë emblematike dhe patriku i latërsisë për fëmijë, njeriut që ishte i paisur me vyrtyte njerëzore e kombëtare që kësaj figure t’i kushtohet kujdes me një monografi të veçantë dhe t’i ngrejmë pse jo edhe një bust apo shtatore në fshatin e lindjes apo pse jo edhe në Shkup, ku prehen eshtrat e tij.
Unë bëra një shkrim modest për ta nderuar këtë personalitet, që meriton edhe me shumë se kaq.
Sidoqoftë, nga një lapidar them se e ka të ngritur në zemrat tona Mehmedali Hoxha i cili gati 40 vjet shkrin veten e tij që të rritemi dhe të ngrihemi ne, duke shkrirë jetën për shqiptarët në Maqedoni e Kosovë.
Lavdi emrit dhe veprës të pishtarit të arsimit dhe letrave shqipe!

Strugë 5 Janar 2024

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments