Saturday, April 20, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionKur dora e njeriut vret pa zhurmë në Tetovë

Kur dora e njeriut vret pa zhurmë në Tetovë

Teuta Nunaj

Nëpërmjet një linku sensibilizues, që më dërgoi një kolege, pedagoge në Tetovë, mora dijeni për një problem madhor të bashkëqytetarëve të saj. Ai shërbeu si tregues, sa çeli informimin dhe shqetësimin bashkë, për të gërmuar më tej me të dhëna konkrete zyrtare e jozyrtare, përfshirë këtu edhe nga miq, qytetarë nga Tetova, që e përjetojnë këtë gjendje në mënyrë të përditshme, por që nuk po u largohet dot. Në Shqipëri, pak informacion kemi për problemet, që po kalojnë bashkëkombësit tanë, në qytetin etnik shqiptar dhe me numrin më të madh me banorë shqiptarë në Maqedoni. Problemi i niveleve të larta të ndotjes së ajrit po mbetet aty, pa zot dhe pa zgjidhje. Reagimet dhe protestat e qytetarëve, pa dashjen e tyre, nuk po japin rezultat. Rrjetet social ndjenë tezaurimin e parakohshëm të problemit. Duket sikur njerëzit e lodhur e besimëpak po pranojnë jashtë vullnetit këtë gjendje, si “fat” të tyre, të dhënë prej robit dhe jo prej Zotit. Drejtuesit politikë shqiptarë, në nivel lokal dhe qendror, si të papërgjegjshëm, nuk po bëjnë ende përpjekjet e duhura dhe nuk marrin përgjegjësi për shëndetin e qytetarëve të tyre. Ndërkohë, si për ironi, edhe ata thithin të njëjtin ajër të ndotur, të njëjtën sasi helmi, që nuk e ndalon dot froni, posti apo propaganda e tyre boshe.

Por si është gjendja në Tetovë? Pse tetovarët u ngritën dhe kundërshtojnë prej një viti e gjysmë veprimet e paligjshme të qeverisë së tyre? A dëgjohet vallë zëri protestues i qytetarëve, siç duhet të ndodhë në shoqëritë demokratike? A ekziston mes tyre shpresa, apo pasiguria për të ardhmen i ka zënë vendin? Ndotja e ajrit në Shkup, Kërçovë e Manastir është e madhe, por në Tetovë dhe rrethinat e saj është në përmasa alarmante dhe të frikshme. Sipas të dhënave të më datë 15 shkurt 2015, në Tetovë grimcat kancerogjene PM10 arritën deri në masën 600 mikrogramë për metër kub, ku norma e lejuar është vetëm 50 mikrogramë për metër kub. Ndërsa në ditë të ndryshme të vitit 2014, ndotja kishte arritur deri në nivelet 1000 mikrogramë për metër kub, ose 20 herë më shumë se norma e lejuar. Origjina e ndotjes me këto përmasa ka vetëm një emër: fabrika e përpunimit të metaleve, 15 kilometra larg Tetovës.

Ajo daton që prej kohës së Jugosllavisë, por është rivënë në funksion prej disa vitesh. Ajo funksionon me kapacitet të plota dhe jashtë të gjitha standardeve, përfshirë edhe ato mjedisore, për prodhimin e metaleve të rënda, me kapacitet prodhues shtatë furra, ku tetë oxhaqet punojnë pa filtra, ndaj të gjithë mbetjet qarkullojnë direkt në ajër, pa asnjë pengesë ligjore, mjedisore dhe njerëzore. Sipas ekspertëve, kjo fabrikë prodhon 3 tonë pluhur në ditë, që do të thotë se një qytetar thith deri 10 miligram pluhur për vetëm dy orën që ecën në Tetovë. Duke e kthyer në këtë mënyrë Tetovën, qytetin e dytë më të ndotur në të gjithë botën. Vetë grimcat PM10 përmbajnë materiale toksike, gazra të dëmshëm dhe lëndë kancerogjene, të cilat thithen lehtësisht nga frymëmarrja e njeriut dhe përcillen nëpërmjet sistemit aspirator në të gjithë trupin. Këto grimca kanë aftësi të grumbullojnë baktere dhe janë shkaktare kryesore të kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve kancerogjene në organet e tjera. Nga statistikat, nga vitit 2010 deri sot kemi një ngritje në masën 80 % të numrit të të prekurve me kancer në zonën e Tetovës; rritjen numrit të pacientëve me probleme të frymëmarrjes, kardio-vaskulare; kemi një shtim të problemeve të ndryshme në formimin dhe mirërritjen e embrionit te gratë shtatzëna; si dhe rritjen e problemeve shëndetësore te fëmijët dhe te të moshuarit. Data 2 shkurt 2015, shënoi protestën më të madhe të qytetarëve tetovarë, kundër gjenocidit ekologjik. Protestuesit u mbështetën fuqishëm nga banorët dhe figura të ndryshme publike, që kërkuan rritjen e mbështetjes dhe kundërshtuan gjendjen katastrofike, që po kalon qyteti i tyre. Kërkesa bazë e protestuesve ishte mbyllja e fabrikës, prej nga e ka prejardhjen helmi. Ndërsa politikanët shqiptarë në pozitë heshtin dhe zëri i atyre në opozitë është i pakët, i vakët, i varfër dhe i pamjaftueshëm për të ndikuar në një ndryshim dhe përmirësim të menjëhershëm të gjendjes. Me një vendim të sajin, qeveria e Maqedonisë ligjëroi zgjatjen me afat 6 mujor të vazhdimit të punës në fabrikë, duke garantuar sërish dënimin me helm të vazhdueshëm për së gjalli tetovarët. Kjo ndaloi mbylljen e fabrikës dhe lejoi “ushqimin” e ajrit me grimcat PM10.

Si për ironi të fatit, Ministri i Ekologjisë në Maqedoni është shqiptar dhe është i pafuqishëm për të mbrojtur 340 mijë shqiptarët e Tetovës. Nuk mjaftuan as kambanat e mediave, as alarmet e institucioneve ndërkombëtare, as rritjet e përmasave të sëmundjeve kancerogjene, as shkallët e larta të vdekjeve si pasojë e grimcave helmuese, as kundërshtitë e banorëve, pasi drejtuesit e pushtetit qendror në Shkup, arbitrarisht vendosën të mos e mbyllin shkarkuesin e ndotjes vdekjeprurëse në Tetovë. Por edhe drejtuesit lokal të komunës së Tetovës janë mjaftuar me deklarata kundër vazhdimit të funksionit të fabrikës, por nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për t’u afruar zgjedhjes. Ndaj dora ku e dukshme e ku e padukshme e njerëzve, po vret pa zhurmë çdo vit edhe më shumë tetovarët. Shqiptarët e Maqedonisë tashmë ndodhen brenda një paradoksi, ata nuk besojnë se politikanët e tyre do merren me këtë problem madhor e jetik të tyre, pasi do e anashkalojnë siç kanë përgjatë këtyre viteve edhe me shumë probleme të tjera dhe përsëri, ata i votojnë këta politikanë, duke i kalcifikuar në muret e pushtetit sikur të mos kenë zgjidhje tjetër. Por në të vërtetë zgjidhja është aty, mes tyre, mjaft ta kërkojnë, ta marrin dhe ta zbatojnë. Ndaj le të vdesë shpresa, si e fundit gjë…

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments