Ku mbeti Deklarata shqiptare
Gati dy muaj pas zgjedhjeve lokale – partitë shqiptare nuk japin sinjale se do thërrasin takim liderësh, edhe pse duket qartë se ka vonesa në miratimin e Ligjit për gjuhët, për të cilin ligj LSDM po insiston në futjen e amendamenteve shtesë për të inkorporuar në propozim-ligj edhe gjuhët e komuniteteve tjera në vend. Është harruar edhe barazimi financiar i rajoneve, ndërsa nuk u arrit as 12 kilometra autostradë të futen në Buxhetin 2018
Ngjarjet politike në vend, arrestimet e funksionarëve të VMRO-së, lufta për pozicione në Qeveri mes BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, si dhe agjenda e ligjeve reformuese të Qeverisë, kanë lënë nën hije agjendën e implementimit të Deklaratës Shqiptare, shkruan gazeta KOHA. Para zgjedhjeve lokale kishte takime të shpeshta mes partive politike shqiptare qoftë mes liderëve apo mes funksionarëve të tjerë partiak për të diskutuar implementimin e kësaj Deklarate. Megjithatë, gati dy muaj pas zgjedhjeve lokale – partitë shqiptare nuk japin sinjale se do thërrasin takim liderësh, edhe pse duket qartë se ka vonesa në miratimin e Ligjit për gjuhët, për të cilin ligj LSDM po insiston në futjen e amendamenteve shtesë për të inkorporuar në propozim-ligj edhe gjuhët e komuniteteve tjera në vend. Pikërisht ndryshimi i qëndrimit të LSDM-së në raport me draft-ligjin për gjuhët, për të cilin kishin marrëveshje me BDI-në dhe ASH-në para marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë, ka bërë që BDI të vonohet në thirrjen e Komisionit për çështje evropiane duke mos pasur strategji si t’i kundërvihet amendamenteve të LSDM-së. Nga ana tjetër, ishin partitë shqiptare BDI, ASH, RDK, dhe Lëvizja BESA që i mundësuan LSDM-së të vijë në pushtet pas një kohë të gjatë në opozitë dhe ta çojë njëkohësisht në opozitë VMRO-në. Por një vit nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, LSDM ka konsoliduar pushtetin duke marrë postet dhe drejtoritë kyçe në vend, duke diktuar tërësisht edhe reformimin sistemit të shërbimit inteligjent, ndërsa dy partitë shqiptare janë kënaqur me poste zëvendësish në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, në Agjencinë për Zbulim, në Drejtorinë për Siguri Publike. As në përfaqësimin e jashtëm shqiptarët nuk flitet se do të rrisin numrin e ambasadorëve, ndërsa në raport me fqinjët, Qeveria është fokusuar më shumë tek Bullgaria dhe Greqia e më pak tek Kosova dhe Shqipëria. Kur jemi tek investimet kapitale, Qeveria nuk ka paraparë mjete në buxhetin e vitit 2018 për ndërtimin e autostradës me Kosovën e as atë me Shqipërinë. Po agjenda reformuese e Qeverisë ndonëse prek ndryshimin e disa ligjeve në lëminë e gjyqësorit, nuk ka sinjale se do të prekin sistemin zgjedhor kur shqiptarët mbeten të margjinalizuar me sistemin aktual me gjashtë njësi zgjedhore, sistem ky që në zgjedhjet e fundit uli ndjeshëm përfaqësimin politik të shqiptareve në Parlament me vetëm 20 deputetë shqiptarë. Njëjtë qëndron edhe puna me Entin Shtetëror të Statistikave, ku nuk ka lëvizje drejt rritjes së përfaqësimit të shqiptarëve, po ashtu nuk ka asnjë qëndrimin lidhur me regjistrimin e popullsisë. Lidhur më këtë të fundit, partitë shqiptare para zgjedhjeve parlamentare kërkonin që ky institucion të bëjë regjistrimin e popullsisë edhe atë me ekspertë ndërkombëtare, ndërsa tanimë duket që është harruar kjo temë. Partitë shqiptare bashkë me LSDM-në premtuan edhe rritjes e TVSH-së për komunat nga 4 për qind sa është tani – deri në 14 për qind, gjë që nuk u parapa me planin aksional të Qeverisë dhe as në propozim-buxheti për vitin e ardhshëm. Sa i përket reformave, ndër pikat kyçe Qeveria ka edhe reformën në administratën publike dhe ato në media. Por në administratë ka tre vite që kanë ngecur punësimet e shqiptarëve, pasi që para zgjedhjeve – në detyrë ishte Qeveria teknike dhe ishin ndaluar punësimet. Edhe ata që marrin rroga nga SIMO dhe rrinë në shtëpi – nuk janë sistemuar në vendet e punës edhe përkundër premtimeve të njëpasnjëshme të Qeverisë se do të sistemohen shumë shpejt. Shqiptarët përfaqësim të ulët kanë edhe në ndërmarrjet publike, ndërkaq ende ka institucionet shtetëror pa asnjë shqiptarë të punësuar. Nëse gjatë Qeverisë së Nikolla Gruevskit koha kalonte me Car Dushanin, Kalanë, me kryqin në Butel, me rastet e montuara, dhe praktikisht shqiptarët nuk realizuan interesa afatgjate politike, tani në Qeverinë e Zaevit, e cila nuk mund të rrijë asnjë ditë në këmbë pa votat e partive shqiptare, vazhdon ta vonojë Ligjin për gjuhët dhe duke mos bërë hapa pozitiv për barazinë buxhetore. (koha.mk)