Saturday, April 20, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionKosova nuk është dashnorja jote!

Kosova nuk është dashnorja jote!

Nga Kimete Berisha

Kosova nuk është dashnorja jote!

Zoti është ‘shpresa’. Nëse shqiptarët e kanë humbur ‘shpresën’, dhe po ikin nga Kosova, kjo do të thotë se ata e kanë humbur Zotin dhe shpirtin e tyre.
Sëmundja e ‘shpresës’ u përhap me shpejtësi ndër shqiptarët e Kosovës, të cilët i nxori nga shtëpitë e tyre, për ta kërkuar ‘shpresën’ diku në një vend të huaj!

Çka është ‘shpresa’? Në fabulat e Ezopit, ‘shpresa’ është dallëndyshe që e simbolizon pranverën; është pëllumb që e simbolizon paqen.
Por, për mua ‘Shpresa’ nuk është stinë si e Ezopit, që përsëritet, që lind në pranverë e vdes në dimër, për mua ‘shpresa’ e kësaj bote është mosha e rinisë, që vdes ditën kur fillon të bëhesh i ‘mençur’, i plakur dhe i ditur!

A s’është ‘shpresa’ ndjenjë, mendim pozitiv, pritje se shumë shpejt do të bëhet mirë!
A s’është ‘shpresa’ ndjenja që lind kur je më së ngushti, pastaj pjeket, lodhet dhe plaket bashkë me ty!

A shpresojnë vetëm të rinjtë se një ditë, shumë shpejt, menjëherë, nesër, do të bie ‘bota e vjetër’ dhe do të ndërtohet një ‘botë e re’, një njeri i Ri, një dashuri e Re, një Religjion i Ri, një Profet i Ri, një Bir i Zotit që e mban fjalën, dhe kthehet të na shpëtojë nga vuajtjet përsëri!

‘Shpresa’ plaket, ‘shpresën’ e moshon koha, e plak përvoja, e plakin vitet.
Pleqtë nuk shpresojnë se një ditë në këtë botë do të bëhet më mirë për ta seç kanë qenë ditët e rinisë që i kanë jetuar me shpresë, ditët që janë kryer, kanë perenduar, që u janë harruar edhe datat, edhe emrat e atyre që i kanë dashuruar!

Çka është ‘shpresa’ për mua!
Kur kam qenë e re kam shpresuar se do të jem e lumtur, tash që s’jam as e re e as e vjetër, nuk shpresoj më! Sepse, të vjetrit nuk shpresojnë! Nuk ke çka shpreson ti kur e di se qe 4000 vite histori, kurrë asnjë kafshë e egër nuk është zbutur; që prej dihet, peshku i madh ende e ha të voglin. Se, shpirti i njeriut nuk përsoset, se lakmia ende mbetet mëkati më i madh i njerëzimit, se ende, edhe i mençur edhe i lumtur nuk mund të jesh!

Shpresa është rezistencë, rezistencë rinore ndaj realitetit, ndaj fatit individual dhe ndaj fatit kolektiv njerëzor para syve të qiellit, në tokë.

Bota e vjetër jeton pa shpresë dhe prandaj jeton gjatë. Bota e vjetër, shpreson ende, por jo që do të gjej një të dashur me të cilin do ta ndajë vetminë përgjysmë në këtë tokë, por bota e vjetër shpreson se në botën tjetër do t’i gjej të dashurit e kësaj bote, dhe Zotin!

Edhe kur nuk kanë shpresë për të ardhmen, siç nuk kanë tani të rinjtë shqiptarë që po ikin nga Kosova, ata kujtojnë se shpresën e humbur në shpirtin e tyre do ta gjejnë jashtë trupit të tyre.

‘Shpresën’, kur e humb, nuk e gjen më. Sepse, ‘shpresa’ është fundi i moshës së rinisë; e ardhmja gjithmonë është më ‘e vogël’ dhe më e ‘ngushtë’ se e kaluara, prandaj s’mund të bëhet për ne më mirë seç u bë për të gjithë ata që jetuan para nesh!

Shpresa është ndjenjë, mendim abstrakt, është fjalë e gjinisë femërore, që as nuk shprehet me fjalë nga meshkulli, i cili kur flet për ‘shpresën e humbur’ duket si ‘çikë hasreti’, si kukull e Dalaj Lamës, si ‘djali i mamit’ o si qurran që ka kujtuar se jeta është e bukur, e lehtë dhe e ardhmja është dhuratë e gatshme nga Perendia.

‘Shpresa’ është nocioni bazë i të gjitha religjioneve. Besimtari nuk e humb ‘shpresën’, sepse besimtari i mohon të mirat e kësaj bote për të mirat e botës tjetër.
‘Shpresa’ është gjendje shpirtërore, mendore, është ndjenjë që nuk ushqehet me bukë, por me dashuri, me besim, dhe në fund plaket dhe edhe ‘shpresa’ vdes nga e vërteta. Pastaj, fillon një jetë inteligjente, që e përjashton çdo ndjenjë që të mashtron!

Gati të gjithë shqiptarët që po ikin nga Kosova, janë myslimanë.
Feja islame i obligon ata që të besojnë dhe të mos e humbin shpresën. Feja e tyre i mëson ata se varfëria apo pasuria është fat i shkruar, prandaj nuk mund të kesh më shumë sesa që të ka dhënë Zoti, në ditën e katërdhjetë në barkun e nanës tënde.
Feja islame tha: në ditën e 40-të, Zoti e dërgon një engjëll në barkun e nanës dhe vendos për gjininë e tij, për jetëgjatësinë e tij, vendos se sa pasuri do të ketë në jetë ai njeri, ku do të jetoj dhe ku do të vdes’!

Pra, nëse ju besuat se Zoti ta ka caktuar ‘rriskun’ tënd që do ta kesh në jetë, a e mohuat veten dhe Zotin kur ikët nga fati juaj, apo feja e shqiptarëve historikisht ishte vetëm folklor, që të dalldis gjatë netëve të festave dhe të ngushëllon ditëve të zisë!

‘Shpresa’ ta vonon rritën, ta shtyen kohën dhe të bën të lumtur;
‘Shpresa’ është naive, si dashuria e parë, prandaj njeriu më përpara shpreson se valët e detit të trazuar një ditë do të pushojnë, sesa që provon të mësoj të luftojë me erërat!

Kosova nuk është dashnorja jote, që pasi të ngihesh ti me të, e lë me neveri si zhelen e vjetër.
Të gjithë ata që po ikin, po ikin me përbuzje dhe me neveri ndaj shtetit tonë.
Kosova është ajo vajza e re që e dhunuan në luftë, dhe ti tash o shqiptar nuk i ndjek dhunuesit e saj, nuk shkon t’ua zësh derën atyre, e t’ua shqyesh gojën e fëlliqur, por ti ikë nga Kosova ‘e turpshme’, dhe ua lë në dorë dhunuesve, të cilën e shkrryen, e shkërdhyen turlifarë kriminelësh e vrasësish, e plaçkitën, e shëmtuan si shtrigën plakë.

Të plas zemra kur e sheh se erdh dita që turlifarë injoranti ta shaj Kosovën e ta ndërroj me një atdhe të huaj. Zemra të plas kur e kupton se gjermanët e kanë publikuar se shqiptarët po thonë se ‘pavarësia nuk hahet’. Këso idiomash primitive gjen vetëm në gojëdhënat shqiptare: ‘muri nuk hahet; shtëpia nuk hahet; nuk ke mut n’bythë; prej zorit ujkun e bën dajë’, erj.

Qysh ndodhi që heeej, shqiptarët u nginë me pavarësi, të cilën e japin për ‘një jetë më të mirë’!

Nuk ndërrohet nëna jote ‘e keqe’ për një nënë të huaj më ‘të mirë’.
Nuk ndërrohet motra jote e varfër për një motër të huaj dhe të pasur.
Nuk ia kthen njeriu shpinën vëllait të shkretë.
Kosova nuk është dashnorja jote fshatare që të mund ta ndërrosh me një dashnore tjetër evropiane.

Kosova është fëmiu yt i vogël, i sëmurë, i shkelur, i uritur, i lënë dhe i trishtuar, që nuk e ndërrohet me asnjëri.

Njeriu nuk ndërrohet me një njeri tjetër. Dashuria nuk ndërrohet me një tjetër dashuri.
Atdheu yt nuk krahasohet me një atdhe tjetër.

Ti që po ikë, ti e ke shikuar me sytë e tu Kosovën kah dhunohet, dhe nuk ke bërë asgjë për t’i ndihmuar. Ti je bashkëfajtori. Ti i ke votuar vrasësit e Kosovës. Ti nuk ke lëvizur vendi për t’u thënë kriminelëve ‘boll’. Ti e ke fajin edhe më të madh.

Kthehu në shtëpi. Mbille një lehë hudhra dhe një arë me grurë. Ha kaçamak dhe patate, derisa të shërohet Kosova. Shëroje ti Kosovën me lutje, me dashuri, me çaj lulesh dhe me luftë.

Pse nuk e ke vrarë veten për atdhe, nëse ende nuk të ka vrarë okupatori i saj!

P.S. Në atdheun tonë gjen bukëpjekës me emrin ‘Parajsa’, gjen lulishte varrezash me emrin ‘Mimoza’, lule që çel njëherë në njëqind vjet; gjen dyqan rroje me emrin ‘Migjeni’, gjen dyqan pemëshitësi me emrin ‘Pse’, por nuk e gjen fjalën e fundit të ushtarit ‘Thuaji nënës sime se kam vdekur për atdhe’

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments