Lubjanë
Namazi i parë e xhumasë u fal sot në Xhaminë e Lubjanës dhe Qendrën Kulturore Islame, xhaminë e parë të kryeqytetit slloven, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra muslimanë nga qytete të ndryshme të vendit u mblodhën në namazin e parë të xhumasë në Xhaminë e Lubjanës, e cila gjithashtu është xhamia e vetme me minare në Slloveni, ndërtimi i së cilës përfundoi para pak kohe.
Namazit të xhumasë në xhaminë e cila zyrtarisht pritet të hapet në qershor, i priu myftiu i Sllovenisë, Nexhad Grabus.
Pjesa kryesore xhamisë është ndërtuar duke u frymëzuar nga Qabja. Ajo mahnit me minaren e gjatë 40 metrëshe dhe me fasadën që i ngjan konaqeve të vjetra të Bosnjë e Hercegovinës.
Iniciativa e parë për një xhami në Lubjanë kishte filluar në vitin 1969 por nuk ishte arritur rezultat. Bashkësia Islame e Sllovenisë në vitin 2008 e kishte blerë tokën ku do të ndërtohej xhamia. Gurthemeli i xhamisë ishte hedhur më 2013.
Xhamia me kapacitet prej 1.400 personave kushtoi rreth 34 milionë euro.
Ajo u ndërtua me mbështetje të Katarit dhe mbështetje të rëndësishme të Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV).