Aktorja e njohur, Mira Minga Jupi, ka ndërruar jetë. Mira prej 19-vitesh jetonte në Shtetet e Bashkuara, aty edhe ku humbi jetën.
Ndërkohë lajmin e trishtë e ka konfirmuar edhe mikesha e saj, Shegushe Bebeti, përmes një postimi prekës në “Facebook”. Ajo tregon gjithashtu e aktores nuk do t’i jepet lamtumira e fundit në atdhe.
“Oh sa dhimbje…oh sa lot…nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj…sapo më erdhi lajmi nga Amerika, është ndarë nga jeta mikja ime e shtrenjtë Mira Minga Jupi, aktorja e mrekullueshme e Teatrit të Kukullave gruaja ideale, nëna e jashtëzakonshme që do t’i mungojë aq shumë familjes. Mira e talentuar, aq bujare, aq punëtore e zemërbardhë, u largua në Amerikë para 19 vitesh e sot largohet nga jeta, e ne nuk kemi mundësi t’i japim lamtumirën e fundit…qofsh e parajsës mikja ime e mirë e dheun e huaj e paç të lehtë. Do të më mungosh aq shumë e kafenë nuk do ta pimë më bashkë nëpërmjet Skype, do të kujtoj gjithmonë me shumë dashuri e dhimbje. Ngushëllime familjes e miqve që të deshën aq shumë”, shkruan mikesha e saj.
Aktorja është e njohur për rolin e Kutes në filmin “Përrallë nga e kaluara” ku me mjeshtëri realizoi figurën e fshatares, ngatërrestare e thashethemexhie.
Mira Minga ose Kotja siç e njohim të gjithë do t’u mungojë familjarëve, kolegëve, miqve, artit, por batutat e saj nuk do të harrohen kurrë./ Gazeta Shqip