Faktin se për 15 orë u mblodhën 11 mijë nënshkrime, më shumë sesa numri i nevojshëm për kandidaturë të pavarur për president të Maqedonisë së Veriut, për Blerim Rekën, pos përkthimit në entuziazëm ka dhe dy aspekte të tjera. Të parën ai e lidh me lodhjen e popullit nga premtimet e pambajtura të politikanëve, e të dytën me guximin.
Te “sindroma tradicionale përçarëse shqiptare” e gjen një pjesë të “fajit” pse faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk u bashkua për një kandidaturë të vetme. Por habitet se si të njëjtat parti e duartrokasin unifikimin e faktorit shqiptar në Tuz për fitoren e përbashkët.
Në zgjedhjet e 21 prillit ai thotë se nuk pret vetëm votat e shqiptarëve, por “nga të gjithë ata që duan një republikë të njëmendtë”, teksa shpreh bindjen se Maqedonia është shtet, por ende jo republikë.
Përtej asaj që e ka thënë tashmë, në intervistën për Koha.net, Reka zbërthen dy arsyet që e shtynë të garojë për president. E para është intelektuale, ndërsa e dyta kombëtare.
Me dy fjalë mund të përthekohet edhe vizioni i tij për Maqedoninë. Siç thotë vetë ai, “për një republikë shumetnike dhe euroatlantike”.
Në intervistë ai flet edhe për raportet me Kosovën, në rast se zgjidhet president.
“Fundja, Shkupi dhe Prishtina janë dy kryeqytetet më të afërta në Ballkan”, thotë ai.
Koha.net: Z. Reka, për më pak se dy ditë u mblodhën nënshkrimet e nevojshme për kandidaturën e pavarur për president. Si e përktheni këtë në entuziazmin popullor për një president shqiptar?
Reka: Nuk do të ishte modeste nga ana ime të flisja për shpejtësinë e mbledhjes së nënshkrimeve, por vërtet për 15 orë u mblodhën 11.000 nënshkrime apo mbi numrin e kërkuar me ligj. Pajtohem me kualifikimin e juaj për një entuziazëm popullor, sepse qytetarët u lodhën nga riciklimi i politikave dhe politikanëve, të cilët në çdo cikël elektoral premtonin atë që pastaj nuk e realizonin. Ose mund të jetë që kandidatura ime e pavarur iu duk nënshkruesve e guximshme përballë dy kandidaturave tjera: njërës, të mbështetur nga pushteti dhe 31 parti politike; dhe tjetrës nga partia kryesore opozitare në vend.
Koha.net: Çka mendoni se e pengoi bashkimin e faktorit politik shqiptar rreth një kandidature të përbashkët, dhe sa mendoni se do të reflektojë kjo te votuesit shqiptarë?
Reka: Pos sindromës tradicionale përçarëse shqiptare që mbetet shpjegimi i përgjithshëm, në këtë rast mosbashkimi i faktorit politik shqiptar ka edhe shpjegim të veçantë. Kur dy partitë politike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, fillimisht kërkuan që të gjitha partitë të dalin me një kandidat të përbashkët, kjo u refuzua nga partitë shqiptare në pushtet. Pasi shpalla kandidaturën time të pavarur, këto dy parti sërish apeluan tek partitë e tjera për mbështetjen e kandidaturës sime nga të gjithë si mbipartiake, por apeli i tyre nuk u pranua. Bile njëri nga liderët e dy partive që më mbështetën i kishte kërkuar edhe vetë kryeministrit Zaev që të më mbështesnin si kandidat të përbashkët. Tash nuk është e imja që të komentoj vendimin e partive shqiptare në pushtet pse nuk e përkrahën të vetmen kandidaturë shqiptare për president, ndërkohë që të njëjtat përshëndesnin këto ditë unifikimin e faktorit shqiptar në Tuz për fitoren e përbashkët. Do t’ia lija elektoratit shqiptar ta thotë fjalën e vet më 21 prill.
Koha.net: Përveç shqiptarëve, nga kush tjetër prisni vota?
Reka: Nga të gjithë ata që duan një republikë të njëmendtë. Pra, votat i pres nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët 11 vjet kishin shtet të kapur nga ish-Qeveria dhe 10 vjet shtet privat nga presidenti aktual. Pra, nga të gjithë ata që besojnë në vizonin tim për depersonalizimin e shtetit. Maqedonia është shtet, por nuk është republikë. Republikë bëhet vetëm kur do të sundojë ligji dhe jo individi. Sigurisht jo: me gjyqësor të politizuar, me Prokurori Speciale të pezulluar, me administratë të nepotizuar dhe me Kuvend që amniston kriminelët dhe imunizon deputetët e akuzuar. Besoj që si unë mendon shumica e elektoratit në Maqedoninë e Veriut – pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
Koha.net: Keni sqaruar me një postim në Facebook, por do të donim më në detaje të na tregoni pse vendosët t’i hynit garës për president të Maqedonisë së Veriut?
Reka: Po , për të mos e përsëritur postimin me të cilin shpalla publike vendimin për t’u kandiduar për president do të mundohem ta zbërthej atë në vijim. Ishin pra dy arsye. E para ishte intelektuale. Kjo, sepse postkomunizmi vërtet çliroi intelektualët nga prangat penale, por po aq edhe injoroi mendimin kritik intelektual. Jo që si intelektual tërë këto vite nuk kam shkruar, folur apo kritikuar. Pra, jo që nuk kam pasur qëndrim politik, mirëpo aq ka qenë fuqia e FB. Prandaj vendosa që nga kritikat virtuale të sfidoj politikën me kritika në një botë reale, në politikëbërjen e vërtetë dhe jo vetëm në atë digjitale. Tri dekada pas rënies së komunizmit, intelektualët duhet të jenë më aktivë politikisht në zhveshjen e imitimit të heshtur të praktikave komuniste, nga politikanët postkomunistë. Nuk e di se si do të përfundojë kjo: si intelektualizim i politikës apo politizim i intelektuales, por koha ishte për veprim dhe jo për soditje. Arsyeja e dytë ndërkaq ishte kombëtare. Të kërkosh votën për të parin e vendit nga elektorati shqiptar e të mos i ofrosh asnjë kandidat shqiptar është injorim i një të tretës së votës së vendit. Me vetëm dy kandidatë maqedonas – pa asnjë shqiptar – Maqedonia e Veriut rrezikon të rrëshqasë nga një shoqëri multietnike, (çfarë realisht është në përmbajtje) në një shtet monoetnik (në formë). Pra, ku shqiptarët do të shndërroheshin në një makinë votuese për zgjedhjen e kandidatëve maqedonas. Apo vetëm si votues, por jo edhe të votuar. Si përfundim, mendova se duhej shkruar një tjetër histori. Mirëpo, historinë e shkruajnë vetëm shtetarët, ndërkaq intelektualët vetëm shkruajnë për historinë.
Koha.net: Në pika të shkurtra, a mund të na tregoni se cili është vizioni juaj për Maqedoninë e Veriut?
Reka: Me dy fjalë: për një republikë shumetnike dhe euroatlantike. Rikthimi i republikës është thelbi i programit politik të kandidaturës sime presidenciale. Maqedonia është shtet – por jo republikë. Republikën e vërtetë e bëjnë: sundimi i ligjit, demokracia, gjyqësori i pavarur dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Sundimi i individit ndërkaq e zhbën republikën, duke e bërë atë shtet privat. Prandaj, kthimi i rendit republikan dhe depersonalizimi i shtetit janë synim i mandatit tim presidencial. Shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e gjithë qytetarëve të saj të barabartë. Prandaj Maqedonia e Veriut, si shoqëri shumetnike, duhet të jetë edhe republikë shumetnike. Më së paku ajo mund të funksionojë me dozat e “lejuara” për të drejtat individuale dhe kolektive. Republika nuk njeh demokracinë e dozuar e as “kombe statistikore”, të cilëve u lejohen aq të drejta sa janë në përqindje. Në republikë nuk ka “dhënie” të drejtash, sepse ato janë të drejta të lindura si shtetas të këtij shteti, e jo “dhuratë” diskrecioni nga pushteti që vendos se: kujt, kur dhe sa të drejta do t’i lejohen. Ky synim për një republikë të njëmendtë do të jetësohej përmes drejtimeve të programit tim presidencial nga: stabilizimi i marrëdhënieve ndëretnike, (në politikën e brendshme) deri te politika e jashtme euroatlantike dhe e koekzistencës rajonale fqinjësore; të gjitha këto si parakushte për të kthyer perspektivën jetësore në vend dhe me të ndaljen e procesit të zbrazjes së vendit. Pra, synimet e para do të jenë në funksion të atij të fundit: parandalimit të zbrazjes së shtetit. Ndryshe, në BE para shtetit do të “integrohen” qytetarët e ikur, kurse Republika e Maqedonisë së Veriut nga shteti anëtar do të mbetej shtet i zbrazët.
Koha.net: Me ju në krye të shtetit, çka do të ndryshonte në pozitën e shqiptarëve në veçanti dhe të qytetarëve në përgjithësi?
Reka: Siç e thashë në përgjigjen paraprake, do të synoj të udhëheq një shtet të modelit vërtet euroatlantik dhe shumetnik, dhe të rikthej perspektivën e humbur të qytetarëve. Pse? Sepse nëse Maqedonia e Veriut i humb edhe pesë vjet të tjerë, rrezikon që të mbetet pa popull. Deri tash nga vendi kanë ikur çereku i popullsisë. Deri në vitin 2030 parashikimet janë se mund të shpërngulen edhe 23%. Pra, për një dekadë vendi mund të përgjysmohet. Nuk po ikin vetëm qytetarët e papunë, por edhe ata që kanë punë e pozita relativisht të mira. Po ikën truri i ri i shkolluar, mjekë, IT e inxhinierë. Në fakt jemi në një situatë paradoksale. Po të vazhdojë ky trend i shpërnguljes, Maqedonia ndoshta edhe do të anëtarësohet në BE, por si shtet i zbrazët, sepse qytetarët e saj qëmoti do të jenë “integruar” fizikisht në BE. Pra, synimi im është që të rikthej besimin dhe perspektivën për të jetuar në vend, e kjo sigurisht nuk do të arrihet me shtet të kapur dhe nga shteti privat. Nevojiten reforma rrënjësore dhe madje jo pse këtë na e kërkon BE-ja, por para së gjithash për vetë neve dhe për fëmijët tanë. Ndërkaq, sa i përket pozitës së shqiptarëve në veçanti, do të synoj ndryshimin e konceptit artificial të kombit statistikor dhe të drejtave me përqindje. Pra, ndryshimin e statusit aktual të shqiptarëve, që është më shumë matematikor: 20%. Por, çka nëse nesër shqiptarët dalin më pak se 20%? A do të thotë kjo se tash duhet t’i humbin të drejtat që garantohen deri në këtë përqindje? Apo, çka nëse nesër dalin 30%? A duhet atëherë të zgjerohet korpusi i të drejtave të tyre? Nuk ka demokraci të dozuar, e aq më pak të drejta statistikore. Maqedonia e Veriut duhet të jetë republikë shumëkombëshe e qytetarëve të barabartë. Sistemi aktual i zgjedhjes së presidentit është vetëbllokues. Në një anë, një kandidat shqiptar vështirë mund t’i sigurojë dhe votat e maqedonasve për të fituar garën, por njëkohësisht as kandidati maqedonas nuk mund të fitojë për president pa siguruar votat e shqiptarëve. Në të ardhmen duhet menduar për një ndryshim në sistemin e zgjedhjes së presidentit. Nëse jo nga Kuvendi, atëherë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale qytetarët do të zgjedhin njëkohësisht presidentin (si më të votuarin) dhe nënpresidentin (të dytin për nga votat e fituara). Duke ditur se i dyti, sipas fuqisë elektorale do të jetë kandidati shqiptar, ky instrument i shqiptarit si nënpresident me autorizimin kushtetues që të dekretojë ligjet që prekin të drejtat e shqiptarëve do të mundë të ishte një garanci kushtetuese se këto të drejta nuk mund të shkelen, (siç ndodhi fatkeqësisht së voni me mosnënshkrimin e Ligjit për gjuhët nga presidenti aktual).
Koha.net: Po sa u përket raporteve me Kosovën, çfarë ndryshimesh do të mundë të prisnim?
Reka: Me Republikën e Kosovës vazhdojnë marrëdhëniet e shkëlqyera fqinjësore. Fundja, Shkupi dhe Prishtina janë dy kryeqytetet më të afërta në Ballkan, kurse kryeqyteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut është vetëm 13 kilometra nga kufiri me Kosovën. Përfundimi i autostradës “Arbën Xhaferi” nga ana e Kosovës dhe fillimi i autostradës nga Maqedonia për t’u lidhur me atë të Kosovës, do t’i afrojë edhe më shumë jo vetëm dy kryeqytetet, por përgjithësisht edhe dy shtetet dhe popujt. Historikisht Kosova e Maqedonia gjithnjë kanë qenë të afërta, pastaj rreth 40% e popullatës ka familje në të dyja anët e kufirit, tregtia ka qenë gjithnjë e gjallë midis dy vendeve ashtu sikundër edhe bashkëpunimi arsimor e kulturor. Pres që në vitet që vijnë të intensifikohet edhe më shumë lehtësimi i qarkullimit ndërkufitar sipas sistemit të një sporteli të përbashkët, si dhe të intensifikohet bashkëpunimi ndërqeveritar.