Saturday, November 23, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeKulturë(Përsiatje për romanin “Udhëtim në labirint” të poetit veleshtar Vahit Nasufi

(Përsiatje për romanin “Udhëtim në labirint” të poetit veleshtar Vahit Nasufi

(Përsiatje për romanin “Udhëtim në labirint” të Vahit Nasufit)

I ngritur mbi mjegullën e shpresave dhe mbi pështjellimin kompozues të rrugëve të jetës, romani i Vahit Nasufit të mbulon sa me ndjesinë e ashpërsisë së mjedisit,aq dhe me brishtësinë njerëzore. Ngjarjet rrjedhin në një vend funebër ku ëndrrat thuren poetikisht me realitetin. Planet narative mbivendosen, ndërthuren. Lexuesi ndjek me shqetësim rropatjen e personazheve dhe madhështinë poetike të shpirtit të tyre..

“Udhëtim në labirint” vjen si një liqen i thellë imazhesh ku dallgëzojnë personazhe reale e mitike, figura mbreslënëse, ndjenja fine e mendime të thella të filozofit që u buzëqesh me sarkazëm ligjeve të mbrapshta të shoqërisë.

Poeti Vahit Nasufi është vlerësuar si “… një ndër poetët e shquar… duke i siguruar kështu pozita të lakmueshme vetvetes në hierarkinë e mjeshtërve të fjalës së shkruar poetike shqipe” (Natmir Arifi); “… ia dha emrin POET dhe e rreshtoi mes emrave meritorë në piedestalin e piramidës së letrave shqipe ku banojnë penat që nga shekujt e ikur e deri më sot…” (Rami Kamberi)

Nuk mund ta zbulosh portretin e trazuar të Vahit Nasufit vetëm në poezinë e tij. Edhe pse aty gjen diçka jo të zakonshme. “Një djepi pa foshnjë,/ i këndoja ninull ” (Edhe pak hënë mbi mal”). Poezia e tij të krijon përshtypjen e erës që dihet nga vjen, detari e pret prej kohësh ta ndihmojë të kthehet në liman.

“Dhe nëse një ditë/s’ do të jem në këtë botë/ shpirtin ma kërkoni / bregut LIMALOT. (Brenga ime).

As pamja e tij fizike nuk i shpërfaq të plota dhimbjet, ndjeshmëritë, turbullimet me të gjitha pasojat: lidhjet, ndërthurjet, larminë e ngjyresave të tyre. Fytyra i merr dritë nga balli i lartë, ku ende ndrydhet pamundësia e vjetër e shprehjes së mllefit. Plagët e kanë fisnikëruar. Duket se është në kërkim të vendit a kohës së veçantë ku të gjitha gjërat të lidhen me njëra-tjetrën.

Dhe e gjen në hapësirat tekanjoze të prozës së gjatë.

Romancieri fillon të luajë me rregullat e botës, ndërton gjeometrinë e fshehtë të jetës e cila natyrshëm stis labirinte, ngacmon intuitën si fëmija lodrat e veta. I afrohet i druajtur strukturës arkitekture të romanit.

Me fjalinë e parë, “…Do të ndahej prej mikeshës më të dashur”, krijon botën, dhe kjo botë, falë ndërmjetësimit të tij, u hap rrugë konflikteve të mendjes dhe të zemrës me realitetin. Në shumëllojshmërinë e problemeve, tërësinë e pafundme të ndodhive të jetuara apo të dëgjuara, autori përzgjedh të rrëfejë ato që kanë aftësinë të çojnë lexuesin në reflektime .

“Unë shkruaj për vete dhe për miqtë e mi, unë shkruaj për ta bërë më të durueshëm kalimin e kohës’”

Këto fjalë të Borgesit i shkojnë për shtat Besit, personazhit qendror të romanit “Udhëtim në labirint” të Vahit Nasufit.

Për të përballuar peshën e padurueshme të jetës, përndjekjeve, diferencimit politik, pyetjeve të hetuesve, autori i krijon personazhit pamje e komunikime që e ndihmojnë të zhvendoset fluturimthi në tjetër botë, në atë nivel perceptimi ku gjen forcën të ndryshojë realitetin. Bisedat me zogjtë, qetësia e natës, rrezja e pabindur e hënës, dialogu i shpeshtë me ëndrrën, takimet iluzore me të dashurën, kanë fuqinë e komunikimit të ndjesisë së shpëtimit nga e keqja, shtrirjes së magjepsjes së heshtur e të gjatë.

Vlera e romanit “Udhëtim në labirint” qëndron në fuqinë e detajeve dhe bindshmërinë e vizionit që përcjell: Besi, Xeni e Rimi, përfaqësues të atij brezi intelektualësh që i bënë ballë asimilimit nacional, lëvizin në mjedise të ndryshme. Kjo i jep mundësi autorit të sjellë imazhe të jetës rurale e urbane, nga jugu deri në veri të “perandorisë”; të pasqyrojë mjediset ku ndrydhet liria e mendimit; të nxjerrë në pah zërin që flet në roman si përfytyrim i lindur nga fjala për të krijuar imazhin viziv, apo dhe të asaj arkitekture që imponohet vetiu, tek zbulon veti të cilësuara, hapësira imagjinare. Shtjellimi subjektor i romanit bëhet përmes karaktereve jetësore, pasqyrimit të mjedisit dhe psikologjisë në të cilat gjallojnë mendësi të ndryshme për jetën dhe të vërtetën.

Arkitektura e labirintit zbret në strukturën e romanit. Ngjarjet nuk kanë rrjedhë lineare. Më shumë se fabula rrëfimtare, shpërfaqen përjetime dhe fate të njerëzve në jetën e tyre të përditshme ku, të ndërthurura, të ndërprera me kthime hapsinore a digresione kohore, krijojnë ndjesinë e përhumbjes, ndrydhjes skutave të jetës.

“Këtu labirintet, më të sofistikuar. Në shtëpi. Në rrugë. Në ëndërr. Nëse i hutuar ikje prej tyre, përfundoje gjithmonë brenda tyre. Prinin përpara e vinin pas teje…”

E prej kësaj peshe lind natyrshëm revolta për të shmangur pengesat, në kërkim të derës së daljes.

Ndërkohë, proza e Vahit Nasufit projektohet nga poezia e përpjekjeve dhe përsëritjes ekzistenciale, me pasionin e qenies, të ndjenjave, të zakoneve, të vendeve të cilat duhet t’ia rrëmbesh jetës në rrjedhë.

Metaforat ndërtojnë fushën e impulseve, u japin sendeve e ndijimeve përmasën estetike dhe peshën e domosdoshme racionale.

“Buzëqeshja e Rimit ndriste murrëtimin e dheut, mbante degët e pemëve të mos tundeshin nga era, ngrohte rrasën e ftohtë të gurit.”

Autori kërkon të shijojmë bukurinë në përcaktimin e hollësishëm të detajeve, në zgjedhjen e objekteve, të ndriçimit, aromave.

“Nata e hante pak e nga pak fytyrën e saj të zezë. Hëna nuk e di ku kishte humbur”.

“Mullisit të mirë, fjala i vinte era miell e era brumë.”

“Në të dy krahët e tij, plepat shtatlartë zgjaten të prekin qiellin me dorë. Pranë tyre verrinjtë degëshumë vuajnë shkurtësinë e pakuptimtë.”

Zëri i tregimtarit përqendrohet si drita në skenën e teatrit: atje ku duhet theksuar veprimi, gjithçka që s’duket e bën të dukshme. Shpesh autori përmes rrugës së tërthortë, josh fjalët ekuivoke, krijon atmosferën e dilemave.

“Ecja lehtë, me gatishmëri të shtuar. Të njëjtën gjë e vëreja edhe te Rimi.

-Si të duket rruga? – i them.

-Vetë e zgjodhëm, – ma ktheu shpejt.

-Rrugët tona…, – pëshpërita ngadalë pa e mbaruar fjalinë deri në

fund.

-Që na i trasojnë të tjerët…

-Dhe ne ecim atyre …

-Ecim për të arritur në vendin e caktuar.

-Edhe kjo të çon atje?!

-Në mos atje, diku afër.

-Qenka vështirë të arrish?”

Motivet lirike këngëzojnë mjediset ,sepse personazhet janë të detyruar të hapërojnë nëpër labirint.

“Po njerëzit? Si përroi. Ngjasonin me njëri – tjetrin. Dy fate të përbashkëta. I pari ikën dhe mbytet në detin e madh. I dyti nga sytë këmbët s’di nga t’ia mbajë prej sojit të vet të tjetërsuar.”

Me ligjërimin rrjedhës e të çlirët, autori rindërton psikologjinë e njeriut të një rrafshi kohor të caktuar, në mjediset e Vreshtinës e Drinisë, që, mbi kode dyshimesh, kontrastesh e kundërvëniesh, lidhet sa me vendin ku jeton, aq dhe me hapësirën e bregut tjetër të liqenit.

“-E pe Drilonin? – më pyeti për ta vazhduar fillin e bisedës që e kishte menduar.

Ky provokim e meritonte një përgjigje.

-Po e pashë.

Qeshi lehtë dhe vazhdoi me pyetjet.

-Është i bukur ai?

-Shumë …”

Ndërthuren motivet e zbritjes vertikale në histori e në thelbin e qenies njeri, në identitetin autokton, si mënyrë e gjetjes së rrënjëve të vetes dhe së vërtetës. Kjo i jep romanit frymëmarrje origjinale, nxit ëndjen dhe kuriozitetin e leximit.

Pamundësia e përgjigjes së plotë, rrugëtimi i turbullt intrigohen nga mënyra si përzihen të vërtetat e thjeshta me paralele situatash që s’kanë shumë dallim. Autori shkrin kufijtë mes tyre.

“Liqeni më ngjallte trishtim. Mundohesha ta shikoj fundin e tij. Por çfarë fundi?! Ky as që kishte fund. Misteri bëhej më shumë se mister. Mos ndoshta e ka kuptuar natyrën time me të cilën e ushqej shpirtin e lënduar?”

Romancieri Vahit Nasufi nuk u jep përgjigje pyetjeve të shumta që mbushin ndërdyshjet e personazheve. Zgjidhja është vetë pyetja. Sepse “Thelbi i njeriut ka karakterin e një pyetjeje” thotë Martin Heidegger.

Bujar BALLIU

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!