Seanca gjyqësore për rastin “Monstra”, në të cilën do të duhej që të dëshmojë dëshmitari i mbrojtur “E1” është shtyrë, pasi që është sëmurë gjykatësi i dytë i lëndës, Osman Shabani, raporton Portalb.mk.
Ndaj shtyrjes së gjykimit, kanë reaguar familjarët e të vrarëve, duke akuzuar se po luhen lojëra të errëta dhe se qëllimisht anulohet gjykimi.
“Paraprakisht është sëmurë gjykatësi Ivica Stefanovski dhe e shtritë në krevat, kur duhej që të kumtohet vendimi, por fillimisht pritej VMRO-DPMNE që të bëjë Qeveri me BDI-në, ndërkaq tani është sëmurë gjykatësi Shabani. Vazhdoni me të njëjtat lojëra si më parë”, thanë familjarët.
Familjari i njërës prej viktimave te Liqeni i Smilkovës, Goran Naqevski, përsëri e akuzoi kryeministrin Zoran Zaev, i cili tha se ai ua ka premtuar të vërtetën, ndërkaq propozoi që të dëgjohen edhe familjarët se çfarë u kishte premtuar kryeministri.
“Ju na premtuan të vërtetën, por këtu ka një qendër të fuqisë që udhëheq me Gjykatën. Propozoj që t’i dëgjojmë nënat që të tregojnë se çfarë u ka premtuar Zaev. Ne besojmë se kjo është e kontrolluar nga ajo qendër dhe gjashtë funksionarët e BDI-së, të cilët fshihen me fshehtësi shtetërore, vetë gjykatësi që sot është sëmurë është nga BDI, ata e kanë vendosur”, tha Naqevski.
Gjykatësi Ognen Stavrev thoshte se nuk ka diçka të tillë dhe se ai nuk është “nën kontroll të askujt”.
Gjykimi do të vazhdojë më 22 gusht, ndërkaq pas asaj do të ketë seanca edhe më 24 dhe 31 gusht, ku pritet të dëshmojë dëshmitari i fshehur.