Saturday, November 23, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeKulturëTEATRI SHQIPTAR NË AMERIKË ME AKTORIN E MADH XHEVAT LIMANI, ME MISION...

TEATRI SHQIPTAR NË AMERIKË ME AKTORIN E MADH XHEVAT LIMANI, ME MISION ARTISTIK DHE HISTORIK NË KALABRI, SICILI DHE GJERMANI


TEATRI SHQIPTAR NË AMERIKË
ME MISION ARTISTIK DHE HISTORIK NË KALABRI, SICILI DHE GJERMANI

Mikpritje dhe duartrokitje, përgëzime shoqëruar me lot, përqafime, skandime dhe uluritje duke përjetuar katarzën e Motit të Madh përmes poemës dramatike GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU me autor,regjisor dhe aktor: Xhevat Limani.

Fluturimi nga New York-u për në Romë mbrëmjen e 30 marsit 2018 nuk ish një fluturim i zakonshëm, por i ngarkuar me emocion dhe përgjegjësi.Shkoja për herë të parë në një mision teatror historik tek vëllezërit e një gjuhe dhe të një gjaku, Arbëreshët e Motit të Madh në Kalabri dhe Sicili dhe më pas të vazhdoja dhe ta përmbyllja misionin në Stuttgart të Gjermanisë.Edhepse fluturimi ish i qetë me përjashtim të ndonjë dridhjeje në lartësi qiellore unë nuk isha i qetë emocionalisht. Shkoja të luaj teatër tek një pjesë e shkëputur e Trungut tonë Ilirik, që 550 vite më parë pas vdekjes së kryeheroit tonë kombëtar GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU, pasi ra Arbëria nën pushtimin Otoman, pjesa më e zgjedhur e principatave nga familjet princërore dhe luftëtarëve të denjë morën udhë përtej Detit me shpresë dhe bindje se do të kthehen një ditë në Vatrat e tyre Arbërore. Mbi njëqund vite, gati tri gjenerata mbajtën gjallë shpresën e kthimit në Atdhe, duke ndenjur nëpër shkëmbenjë e kasolla. Dhe kur kjo shpresë po venitej pasardhësit e Arbëreshëvet, djemtë, nipërit dhe mbesat pranuan idenë e riatdhesimit duke u pajtuar të krijonin ardhmëri në vend të huaj. Por ëndrrën e tyre për rikthim nuk e flakën kurrë.Ëndërronin, vajtonin e këndonin sylektisur e shpirtzhuritur duke shpresuar Motin e Madh të rikthehej. Mirëpo Shqipëria po kalonte nëpër katet e Ferrit të politikave evropiano-ballkanike të ujqërve dhe çakallëve të uritur nga tajgat dhe stepat e veriut të thellë, dhe nuk kish takat të mblidhte bijtë e hyjnores Shqiponjë për rreth Vatrës që të bëhej kryezonjë. Kësi mendimesh kaluronin shpirtin tim të trazuar prej Artisti pa Atdhe. Dikur u ndje një trokëllimë e rëndë.Kuptova se aeroplani ateroi në Romë.

31 mars 2018
Mora një taksi të tipit Rent a car bashkë me zonjën time Lule. Pritëm nja dy orë të na bashkangjitej kameramani që fluturonte nga Tirana për në Romë. Morëm rrugën atë pasdite me shi për destinacionin e parë në Frasnita (Frascinento) të Kalabrisë. Pas një udhëtimi gjashtë orësh më makinë arritëm vonë në Frasnita. Zonja Luçia Martino, kryenikoqirja dhe organizatorja kryesore e turneut, një aktore, regjisore dhe kryeatdhetare e shkëlqyer na uroi mirëseardhje duke na pritur me buzëqeshje dhe zemërhapur. U vendosëm të pushonim pak dhe pas mesnate duhej të shkonim në kishë për celebrim të Pashkëve.Ishte një ritual fetar me tepër interes, veçmas këngët korale të kënduara arbërisht.

1 prill 2018
Kafenë e mëngjesit dhe kaftjallin e kishim tek restorani i ngrohtë i djemve të zonjës Luçie. Pasi pimë kafetë zonja e madhe Luçia Martino na njohtoi me itinerarin e shfaqjeve dhe programin për qëndrimin tonë në Kalabri dhe Sicili.
Sonte në mbrëmje bëhemi gati për kremte.Pasdite arriti dhe Donika, Era Hoxha me bashkëshortin Ardian Hoxha, bashkë me fëmijët Lizën dhe Remziun. Kremtuam Pashkët si një familje e madhe, ndërsa mua më sillej vërdallë thënia vizionare e At Fishtës “ Kemi Bajram edhe Pashkë, po Shqipërinë e kemi bashkë”.
Në mbrëmje trupa e teatrit “Vorea” e Frasnitës shfaqi komedinë “Shpirtrat e kemi afër, afër prapa veshit”.Një komedi plotë humor arbëresh. Në fund të shfaqjes si publik duartrokitëm aktorët entuzjastë dhe të talentuar Frasnitas për realizimin e tyre sadoqoftē modest, por të bukur artistikisht që ka qëllim zgjimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare tek ajo pjesë arbëreshe që është shkëputur nga rrethanat e realitetit arbëresh për të ruajtur gjuhën.
Pas duartrokitjeve frenetike Znja Luçia Martino u ngjit në skenë dhe më ftoi për një fjalë përshëndetëse. Urova aktorët Arbërisht e Shqipërisht dhe ftova zonjën time Lule si drejtore e Teatrit
shqiptar në Amerikë. Publiku e përshëndeti Lulen ngrohtësisht. N’emër të teatrit tonë i dhuruam një Përkrenare të Skënderbeut , Teatrit VOREA dhe zonjës Luçia punuar nga skulptori Kristaq Kapedani në New York. Pas falenderimit publik dhe ovacioneve të publikut zonja Luçia ftoi në skenë kryetarin e Bashkisë së qytezës arbëreshe Frasnita z. Angelo Catapano.N’emër të Teatrit Vorea dhe Bashkisë së Frasnitas kryetari i dhuroi artistit Xhevat Limani një dekoratë dhe Çertifikatë diplomë për kontributin e madh nê hapjen dhe konsolidimin e Teatrit të parë Arbëresh bashkë me zonjën Luçia Martino dhe personalitete tjerë eminentë të jetës kulturore Arbëreshe.Pas shfaqjes bashkë me trupën e teatrit Vorea shkuam në darkë në Qytetin fqinjë Castrovillari.

2 prill 2018
Simpozium për Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Pasi pimë kafenë e mëngjesit unë dhe zonja ime shkuam në San Giorgio albanessi.Ishim të ftuar për drekë nga Mirela Palummo, një zonjë nga Shqipëria që merrej me qepje, dizajn dhe shitje të kostumeve arbëreshë.
Ish një drekë e mrekullueshme në Shën Gjergjin arbëresh, diku mes malesh të larta ku vetëm shqiponjat mund të ngrenë fole. Pasdite u kthyem në Frasnita . Në Bashki mbahej promemorja historike, një simpozium shkencor kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Dëgjova kumtesa tejet interesante të studjuesëve arbëresh, veçmas ajo e z Agostino Giordano që ish pak më ndryshe nga kumtesat e “shkencëtarëve” tanë që nxjerrin gjoksin para mendimeve dhe fakteve historike. Sinqerisht u namurova nga kjo seancë spiritualistike në shtjellime historike.Me insistim të zonjës Luçia unë shkova i veshur me kostumin e heroit qepur e dizajnuar nga stilisti Fadil Sahiti në Prishtinë.Më ulën në krye të protokolit, ashtu siç i përket një mbreti. Në fund të simpoziumit pas një fjalë përshëndetëse luajta një monolog të shfaqjes. Më duartrokitën gjatë, tepër gjatë.Pas dite folëm edhe me zonjën Brunilda Lato një balerinë, koreografe dhe një shqiptare e madhe që gjatë kohë tërë qenien e saj e vu në shërbim të menaxhimit të turneut tonë, veçmas në Lungro dhe në Kozenca. Erdhi nga provat duke shkëputur kohë për të na nderuar dhe pasi harmonizuam veprimet e ardhshme, u kthye në provat e saja profesionale.

3 prill 2018
GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU në sheshin e hapur Albania në Frasnita.

E marta e madhe e Pashkëve ishte siguruar për shfaqjen tonë të parë.
Kjo nuk ishte vetëm shfaqja jonë e parë në Frasnita, por ishte shfaqja e parë teatrore që për herë të parë shfaqej tek arbëreshët. Dhe ky akt shënon një histori që fillon me projektin e Teatri shqiptar në Amerikë “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU , vepër komplete e Institucionit Xhevat Limani.
Pas dite pasi vendosëm skenën, foninë dhe prozhektorët në një skenë mobile montazh paguar nga kryetari i Bashkisë së Frasnitas z Angelo Katapano, unë dhe zonja ime dolëm në ceremoninë e madhe tradicionale “Vallet”.
Qyteza e Frasnitës ndryshe thirret dhe katundi i valleve.
Veshur me kostumin e Skënderbeut bashkë me priftin apologjet arbëresh z Antonio Bellushi, hapëm ritualin e valleve që luheshin rrugëve dhe sheshit në Frasnita.Ish një ritual që luhej për fitoren e Gjergj Kastriotit ndaj Ballaban Baderës, duke kënduar e vallëzuar rrugëve të Frasnitas që aq shumë krenohet për ruajtjen e origjinalitetit të valleve arbëreshe.
Në mbrëmje edhepse kishte ndeshje interesante futbolli mes Juventusit e Barcelonës, pjesa dërmuese u ndal në shesh dhe përcolli e duartrokiti shfaqjen me ovacione frenetike.Era Hoxha në rolin e Donikës u duartrokit disa herë në skenë të hapur për zërin e saj të bilbilit duke kënduar tri arie të komponuara nga z Aleksandër Peçi enkas për projektin. Era ka aftësi dhe lëvizje të përkryera vallëzimi dhe shpesh publikun e ve para dilemash artistike: është këngëtare operistike, valltare apo aktore. Ajo është sintezë e një artisteje komplete.Duartrokitjet e dëshmojnë talentin e saj artistik. Në fund të shfaqjes lotë gëzimi tek publiku dhe tek artistët. Ishte kjo një natë e madhe ku ndodhi teatri i Motit të Madh.

4 prill 2018
Takimi spiritual me At Bellushin

Mëngjes i freskët dhe me diell.
Kisha takim me Antonio Bellushin në shtëpinë e tij bibliotekë në ora 10:30.Shkuam komplet ekipi.Ardiani dhe Era mezi prisnin ta takonin apologjetin e madh të Arbëreshëve z Antonio Bellushi.Makinat tona morën rrugicat të shënuara Arbërisht në çdo cep e kënd. Maqedonia dhe Ballkani i sëmurë le të marrë leksione nga civilizimi dhe shteti italian, veçmas në të drejtën e përdorimit të gjuhëve. Ndaluam para flamurit dykrenor që zbukuronte rrugën,
shtëpinë dhe tërë Arbërinë. Na priti një vajzë më tepër edukatë që shërbente aty.
U ngjitëm shkallëve të gurta drejt e në bibliotekë ku At Bellushi ligjëronte Arbërisht para ca shqiptarëve që kishin ardhur nga Zvicra.Dera e shpirthyjnorit u hap. At Bellushi për një çast ndali ligjërimin dhe na përshëndeti. Kish një tufë me lule të freskëta dhe me stilin e një aristokrati të gjakut të Arbërit foli: këtu ka shumë zonja dhe zonjusha, por unë këtë buqetë me lule nga kopshti im dua t’ia dhuroj kryezonjës Lule Limani që i rri për krahu me nder dhe dinjitet artistit të madh shqiptar me famë botërore, nga Struga Ilirike në Amerikë, të madhit Xhevat Limani që na ka ringjallur aq mjeshtërisht, shpirtërisht dhe fizikisht kryedishepullin tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Zonja ime Lule n’ēmër të Teatrit shqiptar në Amerikë i dhuroi në shenjë kujtimi e respekti z Bellushi, Përkrenaren e Skënderbeut punuar nga skulptori elbasanas në New York z.Kristaq Kapedani.Gjatë qëndrimit tonë dëgjuam mrekullitë e magjishme të At Bellushi me të cilin enkas zhvilluam edhe një Intervistë briljante që është një perlë thesar i rrallë. Një gjysmë dite dialog me njeriun enciklopedi është një privilegj që nuk i përket përditshmërisë.

Çifti (Civita). Pas dite.

Çifti është i njohur tek Arbëreshët si Kruja arbëreshe. Shtrihet mes dy malesh të thepisura që lidhen me Urën e Djallit. Qyteza mban mbi krye shkëmbenjë kreshtorë dhe ruan me fanatizēm në muzeumin karakteristik ngjyrime kombëtare arbëreshe.
Nikoqire në këtë qytet patëm zonjushëm Flavio D’Agostino, presidente e shoqatës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Pas takimit protokolar tek kryetari i Bashkisë së Çiftit, shkuam në sallën e vogël ku ishin tubuar atdhetarë , intelektualë dhe përfaqsues të artit e kulturës. Më vonë luajtëm disa fragmente të shfaqjes. Publiku i përmalluar na duartrokiti me shumë edukatë teatrore. Në përfundim të Programit zonja Flavia dekoroi aktorin Xhevat Limani në emër të qytezës Çifti dhe të Shoqatës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore me një diplomë çertifikatë për rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu nëpër skenat botërore.

5 prill 2018
Hungra apo Lungro

U nisëm me makina nga Frasnita.Thanë se nuk është larg, por ne po kalonim lugina, brigje dhe shtigje pa ndaluar.Kaluam shumë fshatra rrëzë malesh e nëpër kodrina.U ngjitëm majave më të larta ku piqeshin me qiellin.Në hyrje të qytezës ndaluam pranë Pallatit “Vinçenc Stratigo”.E para arriti Brunilda Lato me Jeep-in e saj. Thirri dhe dy vajza tjera arbëreshe: Rosa Carbone dhe Saverino Bavasso. Së pari na vendosën. Era me Ardianin dhe fëmijët u vendosën në shtëpinë e Nicola Bavasso, një gazetar, përkthyes, atdhetar i sojit të rrallë nën përkujdesjen e të cilit ishin botuar në dy gjuhë lirikat e poetit të madh Vinçenc Stratigo. Shtëpia gjendej pranë sheshit ku ish vendosur busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu, nën katedralen e madhe me rit bizantin. Ndërsa mua dhe Lulen na vendosën tek shtëpia e parë e Hungrrës ndërtuar në vitin 1488. Në atë shtëpi kanë jetuar familja e madhe Stratigo, mes tyre dhe poeti e revolucionari Vinçenc Stratigo. Tani jeton vetëm trashëgimtarja e familjes Ana Stratigo, një pianiste dhe këngëtare e shkëlqyer, një pedagoge muzike që mban gjallë edhe shkollën e muzikës në katin përdhesë.Muret e trasha të shtëpisë më se një metër dëshmojnë bëma dhe gjëma historie lidhur me punë dhe veprimtari Arbërie. Zonja Ana Stratigo na pret më një buzëqeshje fisnike, më një arbërishte të kulluar Shqipërisht. Na flet për pikturat dhe fotot varur mureve.Kjo shtëpi është muze dhe ngërthen në vete shumë histori të gjakut të Arbërit. Pastaj zonjushat Rosa dhe Saverino me makinat e tyre nëpër rrugicat e ngushta na përkujtonin të famshmin Shumacher. Shpejt dhe rrëmbimthi ngisnin makinat sa në disa çaste të ndalnin dhe frymën. Na çuan për drekë bashkë me atdhetaren fisnike Brunilda Lato.
Sofra e shtruar Arbërisht në një restoran pranë Shtëpisë së kulturës na joshi së tepërmi. Pas drekimit iu drejtuam skenës për të montuar dekorin, foninë dhe dritat. Ish një sallë e bukur dhe modeste me nja 250 vende. Flamujt e principatave u desh të varen mureve të lartë meqë nuk kish shtangenta. U shqetësova pak në fillim për një çast. Papritmas në skenë u ngjitën dy kaprollet arbëreshe Rosa dhe Saverino që kacavireshin e ngjiteshin mureve me lehtësi dhe kënaqësi duke dëshmuar se janë arbëreshe, dhe atë moment seç m’u kujtua urdhëri i Napoleonit i lindur prej Amali de Radës, nënës arbëreshe, të hiqet nga fjalori fjala : e pamundur. Kjo kredo dhe bindje vlen për këto dy veprimtare që në emër të qytezës Hungra, nga kryetari i Bashkisë ishin autorizuar të na shërbenin ne trupën e Teatrit shqiptar në Amerikë. Dhe detyrën e kryen me zell, elegancë, dashuri dhe pa u kursyer fare.Këto vajza dëshmojnë genin pasardhës të mbretëreshës Teuta që historia shqiptare i ka shumë borxh.
Pasi ra nata në Hungra, publiku arbëresh mbushi sallën përplotë, Muzika e Aleksandër Peçit paralajmëroi Prologun mes territ dhe dritës si parakusht të ndodhë magjia teatrore.Duartrokitjet në skenë të hapur nuk pushonin. Në fund të shfaqjes gati të gjithë hypën në skenë për foto kujtimesh. Si në çdo shfaqje të mëparme kish ardhur Françesko Maria Frega-Matjani, një këngëtar i tipit homerik që zëri i tij duke se rridhte dhe shkundte dhembje, mall e plagë Arbërie. Një burrë fisnik i veshur bukur dhe me shije. Kryetari i Baskisë z. Giuseppe Santoianni, na përshëndeti me gjuhë vëllazërore dhe na bëri ftesë publike që TEATRI SHQIPTAR NGA AMERIKA i ka dyert e hapura në zemrat arbëreshe. Unë falenderova kryetarin e Bashkisë, publikun artdashës aristokrat arbëresh dhe veçmas “fajtoren” e këtij akti teatror në Hungra koreografen dhe
artisten balerinë Brunilda Lato. Pas shfaqjes kryetari Bashkisë na çoi për darkë. Kaluam një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë. Tani pas darke kthesat gjarpërore e maloret e ashpra m’a lehtësuan zemrën dhe shpirtin pasi njoha rrënjët e mia, të gjakut tim hedhur shtat, degëve të stërgjatura të Trungut Ilir që paralajmëron pranverë dhe stinë me pemë për Motin e madh të kreshpëruar. Në mëngjas bashkë me gazetarin Nikola Bavasso dhe këngëtarin Françesko Frega bëmë disa foto çasti pranë bustit të Skënderbeut.
Pimë dhe nga një pije në një bar pranë sheshit me shpresë dhe bindje se do shihemi sërish. Morëm udhë për në Cosenza.

6 prill 2018
Cosenza

Destinimi ynë nga Lungra ishte Seminari i Eparkisë në Cosenza.
Pas uratës së artistes Ana Stratigo morëm udhë teposhtëza. Duke zbritur nga rrëpirat e Lungrës në Cosenza filloi të ndjehej era e detit. Atje na priti shpirtbujaria e tij Papas Pietro Lanza, një prift erudit, atdhetar i zjarrtë dhe arbëresh me bindje. Pasi u vendosëm në një hotel shtëpizë të bukur, odisejada jonë vazhdon duke kërkuar McDonaldsin për Xiun që e ka restoranin favorit.
Qyteti ish një bukuri e rrallë.Nga ora pesë shkuam tek qendra Seminarike.Përballë rrëpirave të thepisura ngrihej pjesa e vjetër e Kozencës që ngjante me Beratin.Imazhi i rrëpirave më kujtoi Këngën e Zogut tek poema “Kënga e s’prasme e Balës” shkruar nga Gavril Dara. Papas Pietro Lanza dhe kryepeshkopi Vescovo Donato Oliveiro na pritën arbërisht në oborrin kopsht të Seminarit pranë Eparkisë. Nga ora gjashtë salla u mbush prej publikut të zgjedhur.Fytyra qytetare dhe intelektuale.Aty kishin ardhur me ftesa, të zgjedhurit e shijes frymore arbëreshe. Prezentimin e Teatrit shqiptar në Amerikë dhe jetëpërshkrimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, të Artistit Xhevat Limani dhe të sopranos Era Hoxhe e bëri çifti: Papas Pietro Lanza dhe zonja e tij Eleonora Carmen Gangale Lanza e cila kish përkthyer poemën dramatike në Italisht. Pas prezentimit të shfaqjes në mes duartrokitjesh frenetike në skenë u ngjit i përlotur kryepeshkopi që më fjalë dhe oratori të rrallë falenderoi z Xhevat Limani që “ na solli të gjallë figurën e atij burri të madh të Motit hyjnor kur Arbëri respektohej mbarë Evropës. “. Falenderoj Xhevat Limanin nga Struga e bukur e Ilirisë që në Amerikë ngriti Teatrin shqiptar dhe ja seç na pruri si dhuratë Perëndije, Gjergj Kastriotin Skënderbeu, yllndriturin e Tokës së Arbërisë që dritëron edhe sot e kësaj dite mbi shkëlqesinë e Shqipërisë. Lutemi për shpirtmadhin Xhevat Limani që të vazhdojë misionin e tij artistik e kombëtar”.Rroftë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Institucioni Xhevat Limani.
Salla shpërtheu në duartrokitje frenetike.Lotë gëzimi mes aktorëve dhe publikut.Atëherë nikoqiri Papas Pietro Lanza ftoi publikun në një koktej arbëresh mes pijesh dhe ushqimesh të veçanta.Nuk mungoi as kënga arbëreshe.Këngëtarët Françesko Maria Frega, Santino de Bartolo një këngëtar dhe kitarist zëëmbël joshën atmosferën me magjinë tingullore.Mbrëmjen e paharruar e mbylli një këngëtar i moshuar i muzikës së lehtë që këndoi për dashurinë e humbur. Ishte një baladë plot dhembje dhe mallë të cilën shpirtërisht ia dedikova gazetarit Memet Latifi që në 4 prill ndërroi jetë në Strugë. Ishte udhëtar i planifikuar i kësaj turneje, por ca gjëra nuk janë nën tutelën e vullnetit tonë, ne kreatyrave të lindshëm dhe të vdekshëm. Telat e kitarës ritëmkëputur na përcollën në terrin e mesnatës Kozencjane duke shpalosur kujtime për njeriun e mirë Memet Latifi.

7 prill 2018
Udhëtimi nga Kalabria për në Sicili.

Destinacioni i radhës ishte Hora e Arbëreshëve ose Piana degli Albanessi.Pas nja 3 orë udhëtimi me makina arritëm në Vila Giovani. Nga lartësitë e brigjeve të Kalabrisë u ndalëm para detit blu. Na priste trageti që qarkulkonte çdo gjysëm ore.Blemë biletat për makinat dhe u futën në traget bashkë me qindra makina tjera.Lamë makinën në parking të anijes dhe u ngjitëm në platformë.Restoranet dhe barcafetë vlonin nga udhëtarët e etshëm dhe të uritur nga rrugëtimet e gjata. Sirenat e rënda të tragetëve sikur i bënin karshillëk valëve plotë llahtar të detit të shqetësuar. Përballë duket Messina, qyteti i parë që futemi në Sicili. Shkrepëm disa foto mbi katart të anijes sa për të ruajtur kujtimet. Pasi dolëm nga trageti filluan të dalin tunelet e pafund që lidhnin male dhe lugina bregdetit të Sicilisë deri në Palermon kryeqytet. Rrugët e gurta po të kishin gjuhë do të tregonin shumë histori të rënda gjaku e krimi. Kur makina mori përpjetëzat malore më sillej ndërmend Golgota e popullit tim të arratisur për të ndërtuar fole. Ishte Moti i Madh që mbeti një plagë e rëndë padrejtësie dhe që degdisi gjakun tim mes ferrderrishtash për të ruajtur shpirtin e Arbërit. Shteti shqiptar u ka një borxh të madh këtyre Titanëve të gjuhës arbëreshe dhe identitetit të tyre plotë dinjitet për të drejtë RIATDHESIMI.Pasi makinat ngjitën majat e maleve mbi retë u paraqit lugina e bukur mes shkëmbenjësh ku shtrihej katundi – Hora e arbëreshëvet-Piana degli albanessi. Na priti Alesandra Guccia, një protagonist personazh .
Pasi na vendosi në qendër të qytezës kryeqytet të arbëreshëve siç i thonë atje, dolëm në qendrën stolisur plotë flamuj me shqiponjën dykrenore dhe vizitori harron për një çast se ku gjendesh. Atje ish më tepër se Shqipëri.Rrugë, tabela dhe mbishkrime përveç në italisht, çdokund në vendbanimet arbëreshe ishin të shkruara edhe Arbërisht-Shqipërisht.Pas një kohe arriti dhe kryetari i Shoqatës arbëreshe z Giorgio Guccia.Një kryeburr tipik arbëresh që rrezaton madhështinë e bujarisê së genit shqiptar. Alessandra dhe Giorgio Guccia ishin një mendje në dy figura. Atdhetarë të kulluar që vdisnin për Shqipëri. Atë mbrëmje pushuam për ta hequr qafe lidhjen e rrugës së gjatë mbi shtatë orë me makinë.

8 prill 2018 Hora e Arbëreshëve

Në sallën e bukur të Teatrit do të luhet poema dramatike “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU “.
Mëngjes arbëresh. Alessandro dhe Giorgio na ftuan për kafe. Zbritëm shkallareve të gurta të punuara me tepër mjeshtëri nga vetë baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre.Vizituam qytezën e bukur dhe krenare të gjakimit arbëresh.Alessandro fliste një shqipe të kulluar dhe me mjaft informacione.Kish përgaditje të lartë superiore. Në pyetjen e zonjës sime Lule ,
se ku e ka mësuar gjuhën shqipe kaq bukur, Alessandro përgjigjet me krenari. Në Shqipēri! Kam specializuat në Tiranë.Kam qenë edhe në Kosovë.Por Struga më ka pëlqyer shumë.Ndaj dhe ju solli Perëndia që të ringjallni Skënderbeun dhe Motin e Madh tek Arbëria jonë, këtu në Hora të Arbëreshëve ku të gjithë ëndërrojnë Shqipërisht.
Në drekë na shoqëroi dhe Giorgio. Në restoranin e bukur na u bashkangjit edhe këngëtari i ri i grupit Arbanika , Aaroni bukurosh. Një djalosh i talentuar që këndoi për nderimin tonë një baladë për Adem Jasharin.
Pas drekës së shijshme dhe tepër të veçantë nga ora pesë pasdite na priste kryetari i Bashkisë z Rosario Petta. Kish dalë në hyrjen kryesore të Bashkisë në shenjë respekti. Një kryetar i ri me finesa të larta aristokracie. Ndjehej tepër krenar që në krye të vendit mbante flamurin shqiptar.I buzëqeshte fyryra këtij pasardhësi të denjë Skënderbegjan.
Shkrepëm disa foto dhe në fund na ofroi ca dhurata protokoli dhe një dekoratë për Teatrin shqiptar në Amerikë me prijatar Xhevat Limanin. Shtrënguam duart vëllazërisht dhe foli Arbërisht: do të shihemi sonte në shfaqje. Ne shkuam drejt e në skenë, të përgaditnim spektaklin teknikisht.Ishim tepër të motivuar të dëshmonim misionin tonë.
Në ndihmë kishim djaloshin Alessandro Ferrantelli, një fotograf që nami i kish shkuar deri në Romë. Na doli zot për foninë dhe dritat. Në ora 21 të mbrëmjes publiku kish zënë vendet në sallën që frymonte arbërisht. Një përshëndetje për Teatrin shqiptar në Amerikë bëri atdhetari fjalëzjarrtë dhe intelektuali Alessandro Guccia.Foli me shumë pasion duke ftuar publikun të përcjell aktin misionar dhe historik të TEATRIT SHQIPTAR NË AMERIKË.Salla ushtoi nga duartrokitjet. Ra terri për t’u ndezur dritë gjakimi mbi stemën krutane shoqëruar dhembshëm me muzikën e Aleksandër Peçit. Filluan duartrokitjet që ishin të shpeshta gati deri në fund të shfaqjes. Në mbarim të shfaqjes publiku u ngrit në këmbë dhe skandonte me ulurima katarzike: Rroftë Skanderbegu-Rroftë Xhevat Limani-Rroftë Arbëria-Rroftë Shqipëria. Dhe kjo përshëndetje e paparë zgjati 17 minuta pa ndalur.Përlotje reciproke.Pastaj u ngjit në skenë Presidenti i Shoqatës turistike Giorgio Guccia dhe ftoi në skenë kryetarin e Bashkisë Rosario Peta.
Kryetari shprehu falenderim dhe mirënjohje të thellë për Teatrin shqiptar në Amerikë dhe veçmas për themeluesin, Aktorin, regjisorin, dramaturgun, luftëtarin e denjë të ëndërrimit Shqipërisht, artistin me famë botërore që na solli të gjallë heroin tonë GJERGJ KASTRIOTIN SKËNDERBEU z.Xhevat Limani për të cilin mes tjerash shtoi se ai, përveç se është një artist i madh që na ngjethi mishtë, ai për ne mbetet simboli më domethënës i një misionari dhe vizionari jo vetëm artistik, por edhe mbarëkombëtar. Njerëzit e rrallë dhe mendjendritur si Xhevat Limani janë thesar unikat kombëtar që dritëron shpirtin e kombit tonë përtej të tanishmes. Ne si arbëresh i urojmë shëndet dhe shpresojmë të na vini prapë. Hora e arbëreshëvet i ka portat dhe zemrat hapur gjithmonë për artistë dhe burra të mëdhenjë si Xhevat Limani. Më lejoni që të përshëndes Donikën në Interpretim të sopranos Era Hoxha , vajzës së Xhevat Limanit dhe veçmas zonjën e tij Lule Limani, drejtuese e Teatrit shqiptar në Amerikë. Uroj këtë familje artistike që të vazhdojë misionin artistik dhe historik me poemën dramatike GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU kudo nëpër botë ku frymohet Shqipërisht.Ju faleminderit.Ju duam shumë dhe për shumë mote.
Publiku shpërtheu përsëri me duartrokitje.Bëmë dhe foto pothuajse me tërë publikun e shkëlqyer. Ishte ky një akt i papërsëritshëm teatror që do lë gjurmë historike në jetën kulturore arbëreshe dhe më gjerë.

9 prill 2018
Nisja për në San Giorgio Albanesi.

Pasi pimë kafenë e mëngjesit me Giorgion dhe Alesandron shkova në shkollën fillore “SKENDERBEU “ ku isha i ftuar. Enkas për nxënësit arbëresh mbajta një ligjëratë mbi personalitetin e kryeheroit kombëtar. Në fund i përshëndeta më një monolog nga shfaqja. Nxënësit qanin nga gëzimi që takuan Skënderbeun. Surpriza ishe se dy nxënës luajtën enkas për mua një fragment nga shfaqja e tyre shkollore, një dialog me Donikës dhe Skënderbeut. I duartrokitëm bashkë me mësueset e tyre dhe drejtoreshën.U ndamë me dinjitet dhe dashuri vëllazërore.Ishte koha dhe u desh të marrim udhë për në Shën Gjergj të Kalabrisë ku shfaqja fillon në ora 21 të mbrëmjes. Dhuratat që na dha presidenti i shoqatës Giorgio Guccia ishin aq shumë sa s’kish vend as makina. U përshëndetëm Arbërisht me Giorgion dhe Alesandrin , dy burra model të atdhetarizmës arbëreshe.
Morëm udhë bregdetin e Sicilisë nga Palermoja drejt e në Mesina.Atje u futëm përsëri në traget derisa dolëm në breg të Kalabrisë.Tani në kthim deti ishte më i trazuar. Në ora 8 të mbrëmjes arritëm në Shën Gjergj ku na priti nikoqirja Mirela Palummo bashkë me kryetarin e fshatit. U vendosëm disi shpejtazi dhe u hodhëm menjëherë në veprimet rutinë për të ndrequr skenën.Krijuam kushte dhe atmosherë skenike për publikun e etshëm për këtë ngjarje të rrallë në fshatin e tyre mes maja malesh kreshpane.
Nga Shën Demetrio i Koronës kish ardhur shkrimtari dhe këngëtar Pino Kakoça. Poashtu kishin ardhur edhe disa profesorë Univerziteti nga Kozenca dhe Maki i De Radës.Pas shfaqjes bëmë foto kujtimesh dhe mbresat i vazhduam në restoranin në periferi të fshatit me personalitetet dhe miqtë teatrorë të vendit dhe ata që kishin bërë goxha rrugë për ta përjetuar ngjarjen teatrore GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU.Ish një darkë e paharruar mes zemrash dhe mendjesh që frymonin dhe gufonin Arbërisht.
Atë natë bëmë një gjumë të mirë.
Shfaqja e radhës do të luhet në Stuttgart të Gjermanisë.

10-11- gusht
Nga San Giorgio në Bolonjë

Pasi pimë kafenë e mëngjesit Mirela
na përcolli deri në autostradë që merrte për Bari, ku do ta lenim kameramanin për fluturim në Tiranë. Pas nja tri orë rrugë arritëm në aeroportin e Barit. Hēngrëm një drekë pranë detit me zonjën time dhe kameramanin që insistoi të mbetet anonim. U përshëndetëm me xhiruesin në Aeroport dhe morëm autostradën Adriatica drejt Fogios dhe Peskarës.Rrugët e mira, bukuritë perla të bregdetit si dhe koha e bukur që paralajmëronte pranverën ishin parakushte garante për udhëtim të veçantë.Natën vonë arritëm në Bolonjë. U vendosëm në një hotel klasik “ Blue man”, me stil dhe shije arkitekture. Bëmë gjumë të qetë, ndoshta nga udhëtimi i gjatë mbi 10 orë, me Jeepin rent a car të companisë “ Gold car”. Pas shetisë që i bëmë Bolonjës dhe drekës shoqëruar me shi, morë drejtimin e Milanos prej ku vazhduam për Chiasso, zonën kufitare me Zvicrën.Kaluam pa ndalesë kufirin.Pasaporta amerikane mes tjerash e ka edhe këtë privilegjë.Çamë gryka e tunele plotë dritë, veçmas ai i Gotardit si më i gjati. Kaluam Luganon e bukur dhe më solli ndërmend Aleksandër Mojsiun atë vigan të skenave botërore teatrore. Nga Belinzona kaluam në Luzernin e bukur ku banon shoku im Agim Sylejmani i cili këto ditë gjendet për vizitë pune në SHBA-së në shoqërim të gazetarit hulumtues Qazim Doda.Kafenë e planifikuar me Agimin e shtyj tutje për ndonjë rast tjetër.Kalova alpet zvicerane të mbushura plotë shpatije të ashpra, lugina piktoreske dhe rrëpira që të fusin tmerr e llahtari. U lëshuam ngadalë rrafsnaltës së Zurichut me destinim për në qytezën Wintertur ku jetojnë dy vëllezërit e mij Feriti dhe Lumani, me nipër e mbesa dhe me fëmijët e tyre, gati një çetë kalorsiake. Ata erdhën të gjithë tek Lumani.Më nderojnë dhe ndjehen krenarë me mua, xhaxhain e tyre Xhevat Limani.
Edhe unë i dua dhe kam respekt veçmas për dinjitetin e tyre. Bardhos, Urimit, Nderimit, Bosfortit , Milit dhe Luarasit nuk mund t’ua hajë qeni Shkopin. Dinë t’i dalin Zot vetes.Pas darke vazhdova për Stuttgart në Gjermani.Arrita pas mesnate dhe u vendosa në një hotel në periferi të qytetit.Të nesërmen kontaktova kryenikoqirin Jahja Gashi dhe zonjëne tij, Nora Gashi-Abedini. Ishte dt 13 prill, një ditë para shfaqjes. Zonja Nora na dërgoi adresën e hotelit në qytezën Göppingen. Pas gjysëm ore nga Stuttgarti arritëm para hotelit Art Ana Momentum.Ish në qendër të qytezës dhe tepër i bukur. Ushqimet bio preferncë kish hoteli. Në mbrëmje erdhi Nora dhe Joshi, nofka karakteristike e të shoqit.Një burrë më edukatë aristokratike, i shkolluar në Gjermani dhe i ngritur Intelektualisht dhe kombëtarisht.Gjatë darkës po shkëlqente nga gëzimi se biletat ishin shitur nja tri ditë më parë. Kishin bërë një punë të shkëlqyer, veçmas me bashkimin e tërë shoqatave pranë projektit teatror GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU .Ky ishte një kryehap, do të thoshte Bertold Breht, që mbështet idenë hyjnore të bashkimit shqiptar. Dhe veçmas qasja institucionale dhe integruese me faktin që shfaqjen e kishin inkuadruar në skedën kulturore të qytetit të Stuttgartit, me ç’rast madhërohej kremtimi i 550 vjetorit të vdekjes së kryeheroit kombëtar . Atë pasdite mora Erën nga aeroporti e cila fluturonte nga Prishtina ndërsa Ardiani erdhi nga Stambolli ku kish mbajtur një prezentim dinjitoz n’emër të Kosovës.
Pas darkës miqësore shkuam në hotel.Bëmë gjumë të qetë para të nesermes furtunë.U zgjuam pak më heret se zakonisht, ndoshta si akt përgjegjësie.Pas dreke shkuam në Liederhalle, qendrën kulturore të Stuttgartit. Shfaqja do të luhej në Shiller teatër me 321 ulëse, me park dritash dhe pajisje fonike. Krijuam skenën për aktin e shumëpritur teatror.Drejtoresha Lule para se publiku të zërë vendet e honepsi publikun e zgjedhur teatror me një pikë muzikore të Enio Moricones.
Kur u fikën dritat në sallë, muzika shkrepi qetë një dritë gjaku mbi stemën e principatës së Krujës. Duartrokitje e publikut të zgjedhur sa vinin dhe po shtoheshin si ato valët e detit dhe oqeanit për të dëshmuar dashurinë dhe respektin ndaj Skënderbeut dhe Atdheut. Ky ishte akti im hyjnor i risjelljes në vend dhe kohë të duhur dramën dhe Porosinë e madhe kombëtare: Një komb-një shtet-një gjuhë dhe një flamur që Shqipëria të mos shembet kurrë. Në fund të shfaqjes publiku u ngrit në këmbë dhe s’ndalej me duartrokitjet frenetike.Ndërhyrja ime me shenjim dhe edukatë artistike për një çast frenoi aktin e nderimit sublim si shpërblimin më të madh për artistët.Falenderova parafolësin Xhaferr Leci, prezentuesin e zgjedhur nga të gjitha shoqatat i cili foli fjalë respekti, mirënjohje dhe falenderimi për misionin artistik dhe historik të TEATRIT SHQIPTAR NË AMERIKË. Si e kërkon edukata artistike falenderova shpirtërisht publikun e zgjedhur, intelektualët, veprimtarët, mësuesit, nxënësit e shkollave shqipe, studentët si dhe përfaqsuesit e diplomacisë të Shqipërisë dhe Kosovës : konzullin gjeneral të Shqipërisë në Gjermani z. Arten Hanku, konzullin e Republikës së Kosovës z .Besnik Miftaraj, konzullin tjetër z Kashtanjeva me zonjat dhe stafet e tyre. Pastaj vazhdova përshëndetjen me znj.Shyhret Kastrati drejtore të departamentit për qendrat kulturore në Diasporë pranë Ministrisë së Diasporës në Qeverinë e Kosovës, znj.Shqipe Bytyqi Kajtazi sekretare e migracionit në Saint Gallen në Zvicër, poeteshën Miradije Maliqi, Gazetaren Angelina Fischer, z.Bajram Mulaj këshilltar i kryeministrit dhe personalitete tjerë shqiptare dhe gjermane.
Dhe së fundmi falenderim publik për “fajtorin” e parë që insistoi dhe realizoi qëllimin madhor që projekti të shfaqet në Stuttgart ishte pikërisht Intelektuali dhe atdhetari shpirthyjnor z Jahja Gashi- Joshi dhe zonja e tij Nora Gashi Abedini, duke përfshirë dhe tri vajzat engjëj të zgjuara dhe më plotë edukatë. Respekte dhe mirënjohje për të gjithë artdashësit që kësaj turneje artistike i dhanë vulën historike.
Nata e 14 prill 2018 në Stuttgart të Gjermanisë do të jetë një kurorëzim i odisejadës të Teatri shqiptar në Amerikë në hulumtimin, eksplorimin, prezentimin dhe verifikimin e vlerave, kritereve, shijes dhe kodit artistik të Teatrit shqiptar nëpër botë.
Respekte, falenderime, mirënjohje dhe shpresë për vazhdimësi drejt Harkut të Triumfit.

Ju dua shumë
Shqipërisht
Institucioni
Xhevat Limani

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!