Aleanca për Shqiptarët kërkon që Vesel Memedi të dorëzojë mandatin e deputetit, pasi që e pa veten e tij se sa vota grumbulloi në zgjedhjet e fundit. Kjo kërkesë po bëhet nga Aleanca për Shqiptarët në Gostivar, por edhe nga strukturat e larta të kësaj partie.
“Vesel Memedi nuk ka dinjitet për të mbajtur mandatin e deputetit që e fitoi falë votave dhe pranisë së tij në listën tonë udhëheqëse për deputetë në zgjedhjet parlamentare. Me tradhëtinë që ia bëri ASH-së, ai duhet menjëherë të dorëzojë mandatin dhe të vazhdojë rrugëtimin e tij. Dëshmia se ai nuk ka përkrahje dhe nuk gëzon besimin e elektoratit të ASH-së u dëshmua në zgjedhjet e fundit lokale”, theksojnë anëtarë të lartë nga Aleanca për Shqiptarët.
Sipas tyre, kërkesa që ai të lë mandatin u bë edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, ku nga shtabi i Arben Taravarit u kërkua që menjëherë të deponojë dorëheqjen.