Në rrezik dhe disa filma të tjerë nga fondi i arkivit. Një prej tyre është “Ballë për ballë”
“Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi”, dy filma nga moria e filmave të realizuar prej regjisorit Dhimitër Anagnosti, do të restaurohen. Përmes një njoftimi për shtyp, Arkivi Qendror i Filmit njofton se dy filmat do t’i nënshtrohen një restaurimi dixhital. “Përrallë nga e kaluara”, i realizuar në vitin 1987, është padyshim një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare, si dhe një paraqitje jo vetëm e artit kinematografik shqiptar, por edhe e traditës, letërsisë, zakoneve, kostumografisë dhe muzikologjisë shqiptare. Ndërsa filmi “Përjetësi”, i realizuar në vitin 1974, është një trajtim poetik dhe emocional i temës së tërë së vetë Luftës Antifashiste dhe do të promovohet me rastin e 71-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Të gjitha fazat e prodhimit të filmave “Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi”, xhirimi, proceset laboratorike, montimi, stampimi, janë bërë në laboratorin e Kinostudios, i cili në ato vite, sidomos më 1987-n, ishte tashmë i vjetruar si nga aparaturat, nga teknologjia e përdorur ashtu edhe nga materiali filmik i përdorur për stampimin e filmave. Për këtë arsye, këta filma nuk u prodhuan në standardet e duhura teknike. Filmi “Përrallë nga e kaluara” ka marrë dhjetëra çmime ndërkombëtare gjatë shfaqjeve në kohën e tij, por nuk ka mundur asnjëherë të hyjë në festivale të rëndësishme, pikërisht sepse ka qenë prodhuar jashtë kushteve teknike. Për më tepër, filmi “Përrallë nga e kaluara” ka vetëm tre elementet bazë në 35 mm: një negativ, një fonogram (negativi i zërit) dhe një pozitiv. Nuk është prodhuar asnjëherë elementi dubël-negativ, që është elementi i ruajtjes arkivale, nga i cili prodhohen kopje të tjera, në rast se negativit i ndodhin dëmtime të parikuperueshme. Ndërsa dokumentari “Përjetësi” ka dekolorim ngjyrash, mbizotëron në imazh vetëm ngjyra blu dhe rrezikohet dekompozimi total i ngjyrave nëse nuk i bëhet kopje e restauruar. Në të vërtetë, në fondin e AQSHF-së ka tituj të tjerë më problematikë për sa u përket kushteve në të cilat ndodhen, por restaurimi u tyre kërkon një projekt me buxhet më të madh në dispozicion. “AQSHF-ja, gjithashtu, ka kënaqësinë të njoftojë se po bëhen bisedime me bashkëpunëtorë të mundshëm për t’u bërë pjesë e projektit të radhës për restaurimin e filmit ‘Ballë për ballë’, një nga filmat e fondit tonë, i cili rrezikon dekolorimin total të ngjyrave”, thuhet në njoftim. “Është një nevojë e padiskutueshme që ‘Përrallë nga e kaluara’ dhe ‘Përjetësi’ të restaurohen respektivisht pas 27 dhe 40 vjetësh nga krijimi i tyre dhe kështu të nisë një jetë e re për këta filma që rrezikohen të zhduken nëse nuk kujdesemi për ta. Versionet dixhitale që do të prodhohen janë të transferueshme në film 35 mm, gjë që mund të bëhet në një fazë të dytë për arsye të kostove më të larta, por nga ana tjetër, do t’u siguronte filmave një jetëgjatësi akoma më të sigurt”, thotë Eriona Vyshka, koordinatorja e projektit shqiptar me “Hungarian Film Lab”, e cila do të bëjë të mundur kthimin e filmave në gjendjen e duhur.