Lindim Etemi -Struga Ekspres
Kujtojmë me respekt Bekim Vincën, njeriun që jetoi për kulturën shqiptare
Teksa në Strugë kanë nisur netët e Festivalit “Këngë Jeho”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës dhe folklorit shqiptar, është e pamundur të mos kujtojmë një nga njerëzit që i dha shpirt dhe përkushtim këtij festivali, të ndjerin Bekim Vinca nga Veleshta e Strugês.
Ish-kryetar i SHKA “Shpresa” – Veleshtë, aktivist, humanist dhe veprimtar i palodhur, Bekim Vinca ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare.
Me përkushtimin, vizionin dhe dashurinë e tij për artin popullor, ai udhëhoqi me shumë sukses Festivalin “Këngë Jeho”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e tij.
Ndarja e tij nga jeta më 27 shkurt 2021, në moshën vetëm 47-vjeçare, ishte një humbje e madhe për Veleshtën, Strugën dhe mbarë jetën artistike shqiptare. Megjithatë, vepra dhe kontributi i tij vazhdojnë të jetojnë në çdo edicion të festivalit, në çdo këngë dhe valle që ngjitet në skenë.
Në këto tri netë festivali, kujtimi për Bekim Vincën mbetet i gjallë. Ai ishte dhe mbetet një ndër njerëzit që punoi me zemër për ta ngritur dhe për ta bërë “Këngë Jeho” një simbol të kulturës sonë.
I paharruar qoftë kujtimi i tij.













