Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Hristijan Mickoski, gjatë një vizite në Ohër deklaroi se autostrada Kërçovë–Ohër pritet të vihet në funksion gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, nëse punimet ecin sipas planit. Ai bëri të ditur gjithashtu se këtë vjeshtë pritet të hapet edhe segmenti Izvor–Vërbjani, duke u mundësuar qytetarëve të përdorin një pjesë edhe më të madhe të kësaj autostrade.
Sipas Mickoskit, përfundimi i këtyre segmenteve do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga disa qytete të vendit drejt Ohrit, gjë që pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit dhe të rrisë numrin e vizitorëve. Ai shprehu vlerësim për punën e kryetarit të Komunës së Ohrit, duke e përgëzuar për projektet e realizuara deri më tani dhe për planet e ardhshme zhvillimore.
Gjatë qëndrimit në Ohër, kryeministri vizitoi nga afër punimet që po zhvillohen në gjimnazin “Shën Klimenti i Ohrit”, si dhe në rrugën “Klenoec”.
Kryetari i Komunës së Ohrit, dr. Kiril Pecakov, tha se gjatë katër viteve të fundit në gjimnazin “Shën Klimenti i Ohrit” janë investuar mbi 100 milionë denarë për modernizimin e plotë të objektit. Ai nënvizoi se janë rinovuar çatia, instalimet elektrike, sistemi i ngrohjes dhe ftohjes, hapësirat e brendshme, dritaret dhe dyert, si dhe është rregulluar oborri i shkollës. Po ashtu, janë realizuar investime në kanalizimin atmosferik, rrjetin e ujësjellësit dhe hidranteve, nyjet sanitare, mobilimin e klasave, si dhe pajisje të reja informatike dhe sportive.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur se në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Ohër janë investuar rreth 5.5 milionë euro. Ajo theksoi se me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe UNDP-së janë rikonstruktuar dhe pajisur Qendra Rajonale për Arsim Profesional “Vanço Pitosheski” dhe kabinetet praktike në Qendrën Shkollore Elektromekanike “Shën Naumi i Ohrit”. Sipas saj, projekti i radhës do të jetë rinovimi i plotë i konviktit shtetëror të studentëve “Nikolla Karev”.













