Në Aeroportin “Shën Apostol Pavle” në Ohër, mëngjesin e sotëm u realizua ulja e parë e avionit të Austrian Airlines, duke shënuar fillimin zyrtar të linjës së re të rregullt ajrore Vjenë–Ohër.
Sipas njoftimeve, kompania ajrore austriake, pjesë e grupit Lufthansa, do të operojë këtë linjë dy herë në javë, çdo të enjte dhe të diel, ndërsa fluturimet janë planifikuar të zgjasin deri më 18 tetor 2026. Kjo linjë vjen si zëvendësim pas ndërprerjes së fluturimeve Vjenë–Ohër nga WizzAir në mars të këtij viti.
Hapja e kësaj linje vlerësohet si shumë e rëndësishme për zhvillimin e aeroportit të Ohrit, pasi aeroporti i Vjenës është një nga qendrat më të mëdha të trafikut ajror në Evropë dhe ofron mbi 200 lidhje fluturimi në 66 shtete në Evropë, Amerikën e Veriut, Azinë dhe Afrikën.
Kjo e bën të mundur lidhjen e Ohrit me më shumë se gjashtëdhjetë vende në mbarë botën. Gjithashtu, rëndësi të veçantë ka fakti që linja operohet nga Austrian Airlines, një nga dhjetë kompanitë më të mëdha ajrore në Evropë, gjë që tregon nivelin e lartë të shërbimit dhe seriozitetin e investimit.
Me këtë zhvillim, nga aeroporti i Ohrit tani operojnë gjithsej 16 linja ajrore, prej të cilave 13 janë të rregullta dhe 3 charter, duke zgjeruar ndjeshëm rrjetin e destinacioneve për udhëtarët dhe vizitorët.
Linja e re drejt Vjenës, së bashku me ato ekzistuese, pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit, tërheqjen e investimeve të reja dhe zhvillimin ekonomik të Ohrit dhe rajonit përreth.
Ndërkohë, është në proces edhe rinovimi i plotë i aeroportit të Ohrit, me qëllim modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen e kapaciteteve për të përballuar një numër më të madh pasagjerësh. Synimi është që këtë vit, përmes dy aeroporteve në Maqedoni, të shërbehen mbi 3.5 milionë udhëtarë, ndërsa në vitet e ardhshme kjo shifër të kalojë 4 milionë.
Po ashtu, që nga 16 qershori, Turkish Airlines ka rifilluar fluturimet në linjën Stamboll–Ohër me katër frekuenca në javë. Nga fillimi i qershorit, Ohri është lidhur edhe me qytetet polake Vroclav dhe Katovice, ndërsa janë rikthyer fluturimet Ohër–Beograd dhe Ohër–Bazel, e cila më parë ishte zëvendësuar përkohësisht me linjën drejt Shtutgartit.
Në sezonin veror, nga aeroporti i Ohrit operojnë 8 kompani ajrore drejt 17 destinacioneve, prej të cilave 14 janë linja të rregullta (gjatë gjithë vitit ose sezonale), ndërsa 3 janë fluturime charter.













