Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se deri në fund të qershorit do të formalizohet rikonstruimi i Qeverisë, ndërsa më së voni deri më 1 korrik lista me ndryshimet pritet të gjendet para deputetëve në Kuvend.
Ai tha se takimi i djeshëm me përfaqësuesit e koalicionit VLEN u zhvillua në atmosferë të mirë, por nuk dha detaje rreth emrave dhe zgjidhjeve kadrovike, duke theksuar se kjo është në interes të procesit.
“Po shqyrtohen të gjitha opsionet. Ka mundësi për ndryshime të resorëve dhe besoj se shumë shpejt do ta mbyllim këtë pjesë të parë të procesit”, deklaroi Mickoski.
Ai njoftoi se gjatë ditës do të takohet edhe me partnerin qeveritar ZNAM, ku do të diskutohen si rezultatet pozitive ashtu edhe dobësitë e deritanishme.
Mickoski paralajmëroi se pas rikonstruimit të Qeverisë, procesi i ndryshimeve do të vazhdojë edhe në ndërmarrjet publike dhe në nivel lokal.
“Kemi vende ku mund të bëjmë më mirë dhe vende ku jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Procesi do të vazhdojë gjatë verës edhe në fazën e dytë”, tha ai.
Paralelisht, VMRO-DPMNE do të nisë nga gjysma e dytë e korrikut procesin e përditësimit të anëtarësisë dhe regjistrimit të anëtarëve të rinj, i cili pritet të zgjasë deri në fund të shtatorit.
Sipas Mickoskit, rikonstruimi do të sjellë ndryshime të thella dhe thelbësore në funksionimin e institucioneve deri në fund të verës.













