Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se nga e hëna pritet një ulje e konsiderueshme e çmimeve të derivateve të naftës, pasi Komisioni Rregullator për Energjetikë të publikojë vendimin e ri për çmimet.
Sipas tij, stabilizimi i zhvillimeve në Lindjen e Mesme po ndikon pozitivisht në tregjet ndërkombëtare të energjisë, gjë që pritet të reflektohet edhe në vend. Ai vlerësoi se benzina mund të lirohet me rreth 4 denarë për litër, ndërsa dizeli me afërsisht 7 denarë.
Mickoski theksoi se tensionet e fundit në Gjirin Persik po shkojnë drejt qetësimit, pas sinjaleve për një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa po zhvillohen edhe bisedimet përfundimtare për zyrtarizimin e saj. Ai shtoi se, edhe në rast të normalizimit të menjëhershëm të trafikut në Ngushticën e Hormuzit, do të duhet kohë që furnizimet të arrijnë në tregjet botërore.
Duke marrë parasysh këto rrethana, si dhe përpjekjet diplomatike që përfshijnë edhe Izraelin dhe Hezbollahun, kryeministri shprehu bindjen se kriza do të zbutet dhe se çmimet e naftës do të stabilizohen. Edhe pse dollari ka shënuar një rritje të lehtë, ai pret që nga java e ardhshme qytetarët të përfitojnë nga çmime më të ulëta të karburanteve.













