Struga do të jetë nikoqire e Ligës së Parë të Shahut për Meshkuj dhe Femra
Qyteti i Strugës do të jetë qendra e shahut në Maqedonin e Veriut në fund të muajit gusht, ku do të zhvillohet Liga e Parë e Shahut për Meshkuj dhe Femra për vitin 2026.
Garat do të mbahen në Hotel Diplomat në Strugë, në periudhën prej 22 deri më 30 gusht 2026, me pjesëmarrjen e ekipeve më të mira nga e gjithë Maqedonia e Veriut.
Në kampionatin ekipor do të marrin pjesë 10 ekipe në konkurrencën e meshkujve dhe 6 ekipe në konkurrencën e femrave, ndërsa numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve pritet të arrijë rreth 120 shahistë.
Veçanërisht interesante pritet të jetë prania e shahistëve me renome ndërkombëtare dhe tituj të lartë si Grandmaster (GM), të cilët do ta rrisin cilësinë dhe konkurrencën e kampionatit.
Në mesin e klubeve pjesëmarrëse do të jenë edhe klubet e njohura të shahut si Alkaloid dhe Gambit, ndërsa ngjyrat e Strugës do t’i mbrojë edhe klubi vendas Flamurtari nga fshati Ladorisht.
Organizimi i një ngjarjeje të këtij niveli paraqet një promovim të rëndësishëm për Strugën dhe rajonin, duke sjellë në qytet sportistë, trajnerë dhe mysafirë nga mbarë vendi. Kampionati pritet të ofrojë duele cilësore dhe luftë të fortë sportive për titujt ekiporë në të dy konkurrencat.
Drejtor i Kampionatit- Arlind Jonuzi
Organizator: Federata e Shahut e Maqedonisë së Veriut













