Hulumtuesja në Universitetin e Gracit, Lura Pollozhani nga Struga, ka deklaruar se është për të ardhur keq që studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut ende duhet të protestojnë për çështje bazike, siç është e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
Në një intervistë për emisionin “Triling”, ajo tha se kishte shpresuar që shoqëria tashmë i ka tejkaluar debatet ndëretnike dhe se ekziston më shumë mirëkuptim mes qytetarëve.
“Është e dhimbshme që ende studentët shqiptarë, si qytetarë të këtij shteti, duhet të protestojnë për diçka kaq bazike si e drejta e gjuhës. Këto momente tregojnë se ende nuk kemi mirëkuptim të mjaftueshëm mes njëri-tjetrit”, deklaroi Pollozhani.
Duke komentuar reagimet lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, ajo tha se askush nuk po kërkon të mos përdoret gjuha maqedonase.
“Nëse dikush e kalon provimin në shqip, kjo nuk do të thotë se nuk do të punojë në maqedonisht. Unë asnjë provim në fakultet nuk e kam dhënë në maqedonisht, por sot flas maqedonisht”, u shpreh ajo.
Sipas saj, qeveria aktuale po krijon tensione rreth çështjes së gjuhës dhe po përdor tema emocionale e nacionaliste për të larguar vëmendjen nga problemet reale të shtetit.
Pollozhani foli edhe për debatin mbi respektimin e simboleve shtetërore, duke theksuar se këndimi i himnit shqiptar nuk nënkupton mungesë respekti ndaj himnit maqedonas.
“Nëse e këndoj himnin shqiptar, a do të thotë kjo se nuk e respektoj maqedonasin? Sipas meje jo. Mund t’i këndoj të dy himnet dhe kjo nuk përjashton respektin për asnjërin”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se protestat e studentëve janë edhe formë identitare dhe reagim ndaj, siç tha, retorikës nacionaliste që vjen nga institucionet shtetërore.













