Aleksandar Nikoloski bëri të ditur se punimet në autostradën Ohër–Kërçovë, e konsideruar si një nga projektet më të mëdha dhe më të debatueshme infrastrukturore në vend, pritet të përfundojnë plotësisht deri në fund të vitit ose në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Sipas tij, në momentin kur Qeveria aktuale mori mandatin, në terren nuk kishte asnjë segment të asfaltuar. Ai theksoi se dinamika e punimeve ka avancuar ndjeshëm dhe se qytetarët së shpejti do të mund ta përdorin të gjithë trasenë e autostradës, shkruan Struga Ekspres.
Nikoloski gjithashtu potencoi se realizimi i projektit është shoqëruar me vështirësi financiare, veçanërisht në raport me EXIM Bank. Megjithatë, ai vlerësoi se kostoja prej 13,5 milionë eurosh për kilometër mbetet konkurruese, duke e cilësuar këtë si autostradën me çmimin më të ulët që po ndërtohet aktualisht në Maqedoni dhe në rajon.
(Struga Ekspres)













