Në ditën e përkujtimit të 27-vjetorit të vra*sjes së 53 civilëve shqiptar në Poklek të Vjetër të komunës së Drenasit, një numër pedagogësh dhe maturantesh të gjimnazi “Ibrahim Temo” në Strugë bënë homazhe në varrin kolektiv ku janë varrosur mbetjet mortore të 26 fëmijëve, 5 të rriturve dhe 20 nënave që pas vrasjes dhe masakrimit të trupave ishin shkrumbëzuar deri në atë masë sa që nuk mund të identifikoheshin për t’u varrosur ndaras.
Vetëm dy viktima të këtij krimi makabër, Sinan Muqolli dhe shkrimtari i letërsisë për fëmijë, Ymer Elashani, mundën të identifikohen edhe pse ishin të djegur dhe të hedhur në bunar.
Pas homazheve vizituam Shtëpinë-Kremator ku kishte ndodhur krimi i gjenocidit dhe në fund të përkujtimit morëm pjesë në përurimin e romanit “Revolta e Syzifit” të autorit Bardhyl Mahmuti, që i kushtohet kësaj ngjarjeje.
Syzifi shqiptar-Fadil Muqolli bartë mbi supet e shpirtit peshën e thasëve të mbushura me kristalet e hirit të më të dashurve të tij që u vranë dhe u dogjën në shtëpinë e shndërruar në furrë krematori.
Në fund të përurimit të gjithë të pranishmëve iu shpërnda romani si dhuratë nga Albert Bucolli, i cili është edhe personazh i romanit.

















