Arben Fetai godet opozitën: Në çdo cep ku shkelim është ky konstatim: “Kurrë më BDI!”
Zëvëndëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai ka sulmuar ashpër Aleancën Kombëtare për Integrim (AKI) ku bënë pjesë BDI dhe ASH-ja e Taravarit dhe Selës.
Sipas Fetait, me përpjekjen e tyre për t’u ribrenduar si “AKI”, e vetmja gjë qënë kanë arritur të bëjnë ky trinom është që të rrisin edhe më tej irritimin e shqiptarëve.
“Këta të gjelbërtit të rishpikur si nacionalistë të rremë, me arrogancën e tyre të pashërueshme, sikur harrojnë se shqiptarët e kanë provuar gjatë pushtetin e tyre. Po çfarë bënë këta me besimin e dhënë? I tradhtuan shqiptarët për pak pushtet. Për 22 vjet, qeverisja e tyre ka qenë një shfaqje e neveritshme mashtrimi: gënje këtu, vidh atje, kërcëno me vende pune, burgos një, shkel një tjetër, poshtëro të tretin. Ky është modeli i tyre i qeverisjes, një spirale ligësie nga e cila nuk ditën kurrë se si të dalin. Dhe nuk dinë as sot në opozitë”, shkruan në postimin e tij zëvendëskryeministri Fetai.
Të kapluar nga paniku, opozita, shton ai, “po mundohet të krijojë kaos dhe rrëmujë”.
“Siç thoshte Arbën Xhaferi, me mençurinë që këtyre u mungon: ‘Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur’. Dhe pikërisht kështu po veprojnë. Po tentojnë të mbijetojnë duke u kapur pas rrënojave të vetëshkaktuara”, shprehet tutje Fetai.
Ai ka disa fjalë edhe për Bujar Osmanin si dhe Taravarin e Selën, si pjesë të AKI-së.
“Shikoni Bujarin si e lavdëron Taravarin në çdo dalje, ndërsa Taravari as që ia përmend emrin Bujarit. Sela në anën tjetër është zhdukur nga fjalori i tyre. Bërtasin për ‘referendum’ të zgjedhjeve lokale, sikur bota është kthyer përmbys. E vërteta është se vetëm ata janë përmbysur dhe tani po luftojnë për mbijetesën e tyre politike”, thotë Fetai.
Por sipas tij, kjo është opozita e sotme, një tufë e mjerë njerëzish pa kokë e pa ide, pa asnjë ofertë dhe pa pikën e kredibilitetit.
“Për fat të keq, kemi opozitën më të rraskapitur, më të diskredituar në Ballkan. Kura e gjatë opozitare është e vetmja shpresë për reformimin e tyre dhe ofrimin e një opsioni opozitar për shqiptarët”, shton në postimin e tij zëvendëskryeministri, Arben Fetai