250 mijë nxënës i janë rikthyer sot bankave shkollore dhe rreth 20 mijë prej tyre kanë filluar klasën e parë. Sot ka filluar zyrtarisht viti i ri shkollor 2023-2024 i cili do të zgjasë deri më 17 qershor dhe për herë të parë do të ketë edhe pushim pranveror nga 29 data prill deri në 5 maj, deklaroi ministri i Аrsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri. Ai tha se krahasuar me vitin e kaluar shkollor, fillimi i këtij viti është më i suksesshëm pasi që në harkun kohor prej një viti kanë arritur të aprovojnë dhe njëkohësisht shtypin dhe dorëzojnë në shkolla më shumë se 50 tituj tekstesh në arsimin fillor.
JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Vitin shkollor e filluam me tekste të reja shkollore të shumta në arsimin fillor dhe të mesëm profesional. Filluam me njoftimin për paga më të larta për mësimdhënësit i cili është rezultat i një bashkëpunimi të mirë midis sindikatës përfaqësuese dhe do të realizohet shumë shpejtë. Filluam me mbi 50 shkolla të rikonstruruara, me disa objekte të reja disa prej të cilave janë gati dhe disa të tjera të cilat janë në fazë përfundimi”.
Ministri bëri të ditur se mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Teksteve është më 7 shtator dhe më pas, tha ai, do të miratohen tekstet e fundit për klasën e gjashtë që janë në pritje të miratimit dhe do të shtypen menjëherë. Ai tha se gjithashtu këtë vit shkollor ka një procedurë për materialet ndihmëse të shkurtuara digjitale që përveç teksteve të shtypura, të gjithë nxënësit e shkollave fillore do t’i kenë sa më parë. Ai theksoi se 30 ditë më parë shkollave dhe drejtuesve të tyre u janë dhënë udhëzime nga Ministria e Arsimit dhe shkencës se si të organizohet mësimi në aspektin e ndërthurjes së lëndëve, ku bëhet fjalë vetëm për klasën e gjashtë në të cilën, sipas konceptit të ri lënda e Shkencave shoqërore kombinon për herë të parë lëndët Histori, Gjeografi dhe Edukatë Qytetare.
JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Vlen vetëm për klasën e gjashtë, që do të thotë se Gjeografia vazhdon si lëndë në klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë. Është gjetur një zgjidhje për të organizuar mësimin në mënyrë që të mos ketë probleme në orare dhe janë shpjeguar të gjitha hapat. Do të diskutojmë me sindikatat se si ta zgjidhim këtë në pagë. MASH është e hapur për këdo që mendon se koncepti duhet përmirësuar apo korrigjuar”.
Shaqiri tha se i fton të gjithë , përveç postimeve për problemet, le të paraqesin edhe zgjidhje të propozuara, ne do t’i shqyrtojmë seriozisht të gjitha. Ne e dimë që duhej një reformë në arsimin fillor, se reforma po bëhet, është në një drejtim të mirë, por duhen disa korrigjime për ta bërë atë më të mirë në periudhën e ardhshme. Dëshiroj që viti i ri shkollor të mund të përmbyllet me më pak sfida të cilat duhet t’i kemi, për të cilat duhet një përkushtim i të gjithëve, i familjes, mësimdhënësve, nxënësve, organizatave e etj, sepse në fund se çfarë lloj brezash do të krijojmë varet nga të gjithë faktorët, theksoi Shaqiri.