Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe produkteve ushqimore, posaçërisht vajit, mishit e perimeve thuajse ka lënë pa asnjë fitim restorantet e dasmave.
Të gjitha dasmat janë rezervuar para periudhës kur çmimet ishin të përballueshme. Menaxherët e restoranteve thonë se është ulur dukshëm edhe numri i mysafirëve në dasma, nga 350 ose 400 sa ishte më herët tani numri është ulur në maksimum 250 mysafirë.
“Me çmimet që tepër janë bërë të larta ne nuk kemi fitim por vetëm i bëjmë shërbim dasmorit që t’ia përfundojmë dasmën deri në fund. Ne fitim deri sot nuk kemi asgjë. Ata që i kanë bërë rezervimet para vitit të ri dhe pas vitit të ri, deri diku nga muaji mars të gjitha kanë qenë me çmime të vjetra. Edhe ato, më nuk mundesh ti si personel…ti thërrasësh njerëzit, ti kontaktosh në telefon t’u thuash që tash ka hip çmimi edhe unë duhet me ta hip edhe dasmën, nuk mundemi me bë këtë sepse ai e ka rezervuar me at çmim që është dashur të rezervohet”, tha Admir Seferi, menaxher.
Pavarësisht gjendjes momentale, qytetarët nuk heqin dorë nga dasmat dhe shpenzimet e mëdha për realizimin e tyre.
“Janë liruar njerëzit pak, lëvizjet janë më të mëdha, lidhjet prap janë më të mëdha se sa kanë qenë. Sepse, atëherë njerëzit kanë qenë të vetmuar, kanë pas edhe frikë. Inshalla ripërsëritet jeta, ripërtëritet”, tha një qytetar.
“Djali i vëllait kishte dasmë. Kemi vallëzuar, i bëmë të gjitha që duhet”, u shpreh një qytetar.
Të kënaqur nga sezoni i dasmave janë edhe muzikantët të cilët thanë se po marrin veten pas mbylljes dy vjeçare për shkak të pandemisë”.
“Kemi mbi 200 dasma, jemi të zënë vazhdimisht. Shkojmë gjithkund, sinqerisht jemi të kënaqur. Sonte kemi dasmë në Kumanovë, do të bëjmë muzikë për 700 euro”, tha një muzikant.
Heqja e masave kundër Covid-19 këtë verë lejoi organizimin e të gjitha manifestimeve më kapacitet të plotë dhe pa kufizime.