Allahu i Madhërishëm urdhëron dhe thotë: “Kryeni haxhin dhe umrën për hirë të Allahut”, (El-Bekare, 196).
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Haxhinjtë besimtarë janë delegacioni i Allahut”! hadithi tjetër:“Për haxhin e pranuar (nga Allahu) nuk ka shpërblim tjetër veçse Xhennetin”!
Këto ditë haxhinjtë tanë do të nisen për në vendet e shenjta. Andaj për të qenë haxhilleku i tyre sa më i plotë dhe i pranuar tek Allahu Fuqiplotë janë disa rregulla dhe obligime paraprake që lypset të zbatohen nga personi i cili dëshiron të shkoj në Haxh.
E para: Qëllimi i sinqertë, d.m.th. të mos shkosh në Haxh, duke kërkuar ndonjë të mirë nga kjo botë. Vetëm me nijet të sinqertë dhe me vendosmëri haxhiu mund të drejtohet në rrugë kah Shtëpia e Allahut të Madhërishëm, mund ta braktisë familjen e tij dhe atdheun e tij, mund t’i adresojë dëshirat dhe epshet e tij duke braktisur kënaqësitë e tij. Për këtë, haxhiu le të respektojë lart Qaben dhe Zotin e Qabes dhe le të dijë mirë që ka vendosur të bëjë një vepër të lartë dhe madhore.
Le të jetë vendosmëria e tij kryesisht për hir të Allahut të Madhërishëm dhe le të mënjanojë nga zemra e tij përzierjet e syefaqësisë dhe dëshirës për nam. Le të jetë i sigurt që prej veprave të tij asgjë nuk do të pranohet, nëse ajo vepër nuk është sinqerisht dhe kryesisht në emër të Allahut, xh.sh., dhe që mëkati më i madh është të vendosësh ta vizitosh shtëpinë e Allahut dhe haremin e Tij, e që pas kësaj të jetë ndonjë qëllim tjetër, e jo Allahu i Lartësuar. Për këtë, në vetveten e vet le ta pastrojë mirë qëllimin dhe vendosmërinë, le të hedhë gjithçka që mund të jetë për syefaqësi dhe dëshirë për nam dhe le të shikojë mirë që mos të zëvendësojë atë që është më e mirë me atë që është më e keqe. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Në kohën e fundit (ahiri zeman) njerëzit shkojnë në haxh për këto qëllime: Pushtetarët (sunduesit) shkojnë për shëtitje, të pasurit për tregti, të varfërit për të lyp lëmoshë, dhe dijetarët për famë dhe syefaqësi”.
E dyta: Pendimi. Haxhiu duhet të ketë kujdes kur të niset për në haxh, mos t’ju kthehet prap mëkateve dhe të dijë se pendimi është shumë i rëndësishëm, ndryshe si mund të niset një delegat i Allahut në shtëpinë e Tij dhe ta lus Atë që ta falë dhe ta mëshirojë, ndërsa ai ka vendosur që pas kthimit nga haxhi, të kthehet në mëkate?! Një dijetarë thotë: “Frikësohem që ndonjëri të vendosë të shkoj në haxh me qëllim që kur të kthehet, të kthehet sërish në mëkate”. E kur thotë: “Të përgjigjem o Allah, të përgjigjem”, ndërsa Allahu ia kthen: “As nuk të përgjigjem e as nuk të gëzoj, ngase ti ke vendosur që pas kthimit t’i veproje mëkatet e mëparshme”. Pra, patjetër kërkohet nga haxhinjtë që të pendohen sinqerisht para se të nisen për në haxh.
E treta: Larja e borxheve. Para nisjes për haxh, duhet t’ia kthesh të gjitha borxhet pronarëve të tyre. Nëse ti i ke dikujt borxh të cilin nuk mund ta kthesh kërko leje nga pronari i tij, e nëse ai kundërshton, mos u nis për në haxh, kjo është madhështia e fesë sonë.
E katërta: Kthyrja e premtimeve – amaneteve dhe informimi i pronarëve të tyre se ti vërtetë je udhëtar për në Qabe, në shtëpinë e Allahut.
E pesta: Kompensimi i dëmeve. D.m.th. nëse i ke bërë dikujt ndonjë dëm, të shkosh te ai dhe t’i kërkosh falje, që të pastrosh vetveten tënde nga të gjitha këto detyrime që ke ndaj njerëzve, para se të udhëtosh.
E gjashta: Përshëndetja e familjes. Kjo është prej traditave të Pejgamberit a.s. dhe atyre thuaju lutjen e përmendur në hadith: “Në mbrojtjen e Allahut qofshin feja juaj, besimi juaj dhe përfundimi i veprave tuaja”.
E shtata: Fali dy rekate në shtëpinë tënde, në rekatin e parë këndo kaptinën Kafirun, ndërsa në të dytën Ihlas dhe nisu i pastër me sinqeritet e besim.
Dhe e teta: Premtoi Allahut se: Nuk do të veprosh ndonjë mëkat në tokën e shenjtë.
T’i premtosh Allahut se do t’i lësh kundërshtimet, armiqësitë dhe ngatërresat me njerëz. Njëri prej tabiinëve kur kishte vendosur që të udhëtojë për në haxh, ka thënë: “Trupin tim e kam dhënë lëmoshë për muslimanët”, që do të thotë se çdo gjë që bëhet me trupin e tij në haxh nga shtyrjet, goditjet e të tjera, janë lëmoshë nga ana e tij.
Që ti të qëndrosh sa më shumë në vendin e ibadetit (në Qabe, sepse vetëm shikimi i Qabes së Madhëruar është ibadet, dhe kur të shikosh Qaben duhet ta ndiesh më zemrën tënde sikur je duke e parë bukurinë e të madhit Zot, të bësh sa më shumë tavaf, sepse tavafi rreth Qabes është namaz, të bësh namaz sa më shumë sepse një namaz në Qabe është sa 100 mijë namaze në xhamitë e tjera, të lexosh Kuran dhe të bësh shumë dhikër), e jo të shkosh në vendet e shitblerjes, ashtu siç veprojnë shumë haxhinj, ndërsa shitblerja le të jetë në fund të ceremonive të haxhit, me qëllim të freskimit të shpirtit.
Do ta respektosh synnetin e Pejgamberit a.s., ta vizitosh qytetin xhaminë dhe varrin e tij, sepse ti ndodhesh në tokën dhe në vendin e tij. Kur haxhiu i sheh muret e Medinës, le të përkujtojë se ky është qyteti të cilin Allahu i Madhërishëm e zgjodhi të jetë qytet i të Dërguarit të Tij, s.a.v.s., të jetë vendi i emigrimit të tij, vendi ku ai do të vendosë ligjet e Allahut dhe sunnetin e tij, vendi ku luftoi kundër armiqve dhe vendi ku do të ngritë fenë e Allahut, përderisa Allahu i Madhërishëm nuk e mori tek Vetja. Pas kësaj Allahu i Madhërishëm e bëri që Medina të bëhet vendi i varrit të Pejgamberit, a.s., dhe dy shokëve të tij, Ebu Bekrit dhe Omerit r.a., të cilët e trashëguan.
Haxhiu le të mendojë vendet e gjurmëve të këmbëve të Pejgamberit kur ka ecur dhe të jetë i vetëdijshëm se nuk ka asnjë vend që nuk ka shkelur këmba e tij e nderuar. Kur të vijë te Xhamia e Pejgamberit, s.a.v.s., le të përkujtojë që këtë hapësirë të cilën Allahu i Madhërishëm e zgjodhi për Pejgamberin e Tij, s.a.v.s., dhe shokët e tij, grupin më të ndershëm (brezin e artë), se kjo është hapësira në të cilën është filluar zbatimi i obligimeve të Allahut dhe vendi ku janë mbledhur krijesat më të bukura të Allahut, të gjallë e të vdekur. Përpiqu të qëndrosh sa më shumë në xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe të falësh namaz, ngase një namaz i falur në këtë vend është sikur të falësh 1000 namaze në xhamitë tjera. Ta vizitosh varrin e tij, edhe pse ai ka ndërruar jetë qëmoti, duhet të jetë e njëjtë sikur ai të ishte i gjallë në këtë jetë.
Haxhiu duhet të afrohet varrit të tij për aq sa do t’i afrohej Pejgamberit, s.a.v.s., sikur ai të ishte gjallë, dhe jo ta prekë as ta puthë, por të qëndrojë para tij në një largësi të caktuar, pak i kërrusur, ashtu siç do të sillej edhe me atë rast. Prekja dhe puthja e varrit është zakon i të krishterëve dhe hebrenjve. Haxhiu duhet të jetë i vetëdijshëm që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e di se ai është aty dhe do të qëndrojë në atë vend dhe që tek ai vijnë selamet dhe salavatet e për të. Për këtë haxhiu në vete le të mendojë trupin e tij të vendosur në varr para tij dhe le të jetë i vetëdijshëm për pozitën e lartë të tij. T’i dërgoj sa më shumë salavate sepse i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Kush më dërgon mua një salavatë, Allahu i Madhërishëm do t’ia kthejë atij me dhjetë salavate …”.
Këto ishin disa prej detyrave që duhet ti kryej çdo haxhi para nisjes për në vendet e shenjta dhe shkurtimisht çfarë duhet të veprojë në Qabe dhe Medine. dhe kur haxhiu të përfundojë haxhin, zemra e tij duhet të jetë e mërzitur, e vendosur, e mbushur me frikë dhe vetëdije që nuk di a është i pranuar haxhi i tij apo jo, a është radhitur në grupin e të dashurve, apo i refuzuar me dezertuesit.
Le të përpiqet të njohë këtë me ndërmjetësimin e zemrës së tij dhe veprave të tij, dhe nëse vëren se zemra e tij është e vrazhdë kundruall kësaj dynjaje mashtruese dhe se është kthyer kah Ahireti dhe që vëren se veprat e tij janë të përputhura me ligjin e Allahut, le të jetë i sigurt që haxhi i tij është pranuar, sepse Allahu i Madhërishëm pranon vetëm prej atyre që Ai i dashuron dhe atë që Ai e dashuron, e merr për mik dhe ia tregon shenjat e dashurisë së Tij, duke e larguar nga armiku i tij Iblisi, Allahu e mallkoftë.
Andaj nëse në vete sheh këto shenja, kjo do të thotë se haxhi i tij është i pranuar, ndërsa nëse sheh të kundërtën, ndoshta nga haxhi i tij do të ketë vetëm lodhje dhe rraskapitje, na ruajtë Allahu nga kjo.
Për fund, i porosisë haxhinjtë tanë që të bëjnë sa më shumë ibadet, të luten për veten e tyre, për familjet, për ne, për atdheun tonë, për udhëheqësit tanë që Allahu t’i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe për të gjithë besimtarët dhe besimtaret kudo që ndodhen ata. Të përshëndesin Pejgamberin e Allahut s.a.v.s. dhe t’i dërgojnë selamet dhe përshëndetjet tona më të përzemërta. Ju dëshiroj rrugë të mbarë dhe haxhillëk të pranuar. Shkofshit mirë, e u kthefshit edhe më mirë.
Edhe një herë rruga e mbarë mysafirë të Allahut!
Përgatiti: Enes Koshi/islamgjakova