Edhe pse procedura parlamentare nuk ka nisur ende zyrtarisht, parlamenti është përfshirë në debate për zgjedhjen e kreu të ri të shtetit. Debatin e solli në foltore kryeministri Rama.
Duke iu kërkuar përfaqësuesve të opozitës përfshirjen në një proces real për gjetjen e një figure konsensuale, Rama iu bëri të qartë se kush është vija e kuqe për socialistët, jo vetëm për zgjedhjen e presidentit, por dhe për vijueshmërinë e marrëdhënieve me PD.
Për t’ua bërë të dëshmuar se procesi i nisur për të gjetur zëvendësuesin e Ilir Metës nga ana e shumicës është serioz, ju solli në vëmendje negociatat e bëra për zgjedhjen e disa presidentëve që për të janë qesharake dhe nuk duhen përsëritur.
Thënë të gjitha këto ripërsërit se ndryshimet kushtetuese të 2008 ishin bashkimi më i drejtë i votave me Sali Berishën, që sot të mos ishin në kushtet që pikërisht ai të mos merrte peng parlamentin.
Garanton se socialistët nuk kanë kompleks të zgjedhin si president një propozim të demokrateve, nëse i përmbush kriteret dhe se në 3 raundet e para do të synojnë me seriozitet të gjejnë një president konsesual.
Por në gare për t’iu përgjigjur të dy Edi Ramës, të ardhur nga një mbledhje në selinë blu me tone të larta, Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj dhanë një shfaqje jo fort të këndshme.
Në oborrin e Kuvendit ish-kryeministri sqaroi incidentin.
Pas pushimit të kërkuar nga Taulant Balla, Alibeaj dhe më pas Berisha e quajnë farsë procesin e iniciuar nga PS për Presidentin. Por Berisha shprehet qartë se nuk do të bëhen pjesë e tij, ndërsa Alibeaj është evaziv në qëndrimin e tij.
Të mërkurën socialistët nisën konsultimet me grupet parlamentare të opozitës, por grupi më i madh parlamentar i demokratëve ende nuk ka marrë një vendim nëse do të ulen me socialistët për të bërë propozimet e tyre për kreun e ri të shtetit. Tv Klan