Ish-senatori amerikan Bob Dole, miku i madh i Kosovës ka vdekur sot në mëngjes në moshën 98-vjeçare, gjatë kohës sa ishte në gjumë, transmeton Gazeta Express.
Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole dhe familja e tij përmes një deklarate të dielën.
Dole u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur. Për kontributin e tij, një bust i tij qëndron në kryeqytetin e Kosovës.
“Le të vazhdojmë ta nderojmë veprën e Senatorit Dole jo vetëm me këtë bust të mrekullueshëm, por duke punuar së bashku për ta ndërtuar një të ardhme paqeje, drejtësie, demokracie dhe prosperiteti për popullin e Kosovës dhe rajonit”, kishte thënë Philip Kosnett në ceremoninë e zbulimit të bustit.
Ish-senatori Bob Dole shërbeu për dekada të tëra në Kongres, ishte udhëheqësi republikan i Senatit, fitoi emërimin e partisë për zgjedhjet presidenciale të vitit 1996 dhe pas humbjes në garë qëndroi aktiv në politikë për shumë vite të tjera. Dole kishte shërbyer në Luftën e Dytë Botërore ku ishte plagosur rëndë në Itali.