Përgatiti: Adrian Kerimi
Të premten kryeministri Zoran Zaev takon liderin e partisë Alternativa, Afrim Gashi për t’i shpalosur ofertën që ky i fundit bashkë me 4 deputetët e subjektit tij të bëhet pjesë e shumicës parlamentare, shkruan Alsat.
Takimi do të zhvillohet në Klubin e Deputetëve, ndërsa oferta e kryeministrit mësohet se do të shqyrtohet në organet e partisë Alternativa të martën që vjen kur edhe është thirrur mbledhja e Kryesisë Qendrore.
Në rast se Alternativa bëhet pjesë e Qeverisë, shumica siguron 64 deputet, dy më shumë nga sa kishte deri në nismën për mocion mosbesimi e cila dështoi në mungesë kuorumi në Kuvend si pasojë e tërheqjes së deputetit Rexhepi nga vendimi për të votuar “pro” rrëzimit të Qeverisë.
Gjatë ditës Zaev takoi deputetin Kastriot Rexhepi, mbështetja e të cilit i konfirmoi kryetarit të Qeverisë numrin 60 në Kuvend, pas deklarimit të Lëvizjes Besa se me dy deputetët e saj shkëputet nga shumica parlamentare.
Me sigurimin e shumicës mbi 61, përkatësisht 64 deputet shfaqen dy skenarë të cilët do t’i shqyrton Kuvendi dhe mbi të cilat duhet të votohet me shumicë votash. E para ka të bëj me konstatimin e dorëheqjes së ministrit të Bujqësisë dhe emërimin e ministrit të ri si dhe emërimin e dy zëvendësministrave, të arsimit dhe kulturës pas dorëheqjeve të kabinetit qeveritar të Lëvizjes Besa.
Skenari i dytë përcaktohet nga Kushtetuta dhe Rregullorja për punën e Kuvendit. Në kuadër të rikonstruimit të paralajmëruar dhe duke pasur parasysh bashkëngjitjen e Alternativës në ekzekutiv, Kushtetua sanksionin se ndryshimi i më shumë se një të tretës së kabinetit qeveritar përsëritë procedurën si në zgjedhjen e Qeverisë së re.
“Në qoftë se Kryetari i Qeverisë propozon shkarkimin e më shumë se një të tretës së anëtarëve të Qeverisë të përbërjes fillestare, Kuvendi vendos sikur për zgjedhjen e Qeverisë së re”, thotë Kushtetuta, neni 94.
Kjo nënkupton që duhet konstatuar dorëheqja e Qeverisë. Më pas Kuvendi ta njofton Presidentin për dorëzimin e Qeverisë ndërsa ky i fundit t’i beson mandatin kandidatit i cili posedon nënshkrimet e shumicës së deputetëve. Mandatari i paraqet Kuvendit propozimin për formimin e Qeverisë dhe programin. Nga marrja dita e pranimit të propozimit, seanca thirret në afat prej 15 ditëve.
“Mandatari e arsyeton programin dhe propozimin për përbërjen e Qeverisë në seancën e Kuvendit, në të cilën bëhet zgjedhje e Qeverisë”, thuhet në rregulloren e Kuvendit, neni 111, paragrafi 5.
Gjatë nismës për mocion mosbesimi, VMRO-DPMNE-ja, ASH-AAA-ja, Lëvizja Besa dhe E Majta kishin nënshkruar edhe listë për mandatar e cila do të futej në funksion në momentin kur kryeministri Zaev do ta dorëzonte në Kuvend dorëheqjen e paralajmëruar më 31 tetor. Nëse Alternativa e Afrim Gashit bëhet pjesë e Qeverisë, opozita shqiptare në Kuvend do të mbetet me 10 deputetë, 8 të Aleancës për Shqiptarët dhe dy të Lëvizjes Besa./ Alsat.mk