Lëvizja Besa, edhe pas vendimit të Gjykatës Administrative që të mos ketë rivotim në Zhelinë, mbetet e vendosur që të votojë për rrëzimin e Qeverisë.
Sekretari i përgjithshëm i partisë Arjanit Hoxha, në intervistën për emisionin “200” deklaron se problemi i tyre nuk është LSDM-ja, edhe pse partia më e madhe në pushtet ka mbajtur anë mes partnerëve të koalicionit. Qëllimi i Besës është heqja e pushtetit nga duart e BDI-së.
“Në rrëzimin e Qeverisë, në hapin që është deponuar në Kuvend, deputetët tanë do të votojnë për rrëzimin e saj. Se çka do të ndodhë pas asaj vendosin organet e partisë. Nuk i mbyll opsionet se mundet në të ardhmen të bisedohet me LSDM-në, as me kryeministrin Zoran Zaev, për të cilin e kam patjetër të them se është ndër personat që ka sakrifikuar më së shumti në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut në proceset euro-atlantike”, ka thënë Hoxha për emisionin “200” në Alsat.
Partitë që firmosën nismën për rrëzimin e Qeverisë nuk kanë diskutuar çfarë më tej, thotë Hoxha.
“Thjeshtë është interesi i përbashkët i rrëzimit të Qeverisë. Ne për të defaktorizuar BDI-në dhe ata për të rrëzuar qeverinë; është hapi i parë të cilin ne duhet ta marrim. Se si do të rrjedhin hapat më tej, a do të ketë mandatar të ri të cilët do të vinë të na kontaktojnë për t’i diskutuar në vija të trasha parimet dhe principet se si do të funksionojë, a do të ketë qeveri teknike, a do të ketë zgjedhje të shpejta, është çështje që do të diskutohet pas ditës së enjte kur edhe do të votohet për mosbesim”, pohoi Arjanit Hoxha.
Nëse të enjten nuk arrihet të rrëzohet Qeveria, Hoxha thotë se partia e tij do ta lëshojë pushtetin.
Vendimi i KSHZ-së për rivotim në vendvotimin 2107 në Zhelinë ishte arsyeja që nxiti Besën të shqyrtojë pozitën e saj në pushtet dhe të ndërmarrë veprimet e ditëve të fundit. Rivotim nuk do të ketë, pasi kështu vendosi instanca e fundit, Gjykata Administrative.