Një krismë arme ka trazuar mbrëmjen e kaluar banorët e një pjesë të lagjes Inxhikovë të Shkupit. Me të dëgjuar se e njëjta ka ardhur nga shtëpia e fqinjit të tyre, kanë dal në oborr, mirëpo kanë pasur frikë të afrohen më shumë. Pak më vonë kuptuan se dy persona kishin hyrë me forcë në shtëpinë e fqinjit të tyre, duke vrarë kryefamiljarin. Shtëpia ku ka ndodhur vrasja është në një zonë më të veçuar të Inxhikovës dhe me ndriçim të dobët, andaj thonë se nuk kanë arritur të shohin asnjërin nga dy personat e maskuar.
“Kjo është shtëpia në të cilën në orën 22:30 të mbrëmjes së kaluar i zoti i shtëpisë është qëlluar në kokë nga persona të panjohur, në sy të bashkëshortes së tij, ndërkohë që në dhomën tjetër ka pasur mysafirë”
Sipas fqinjëve i ndjeri dhe bashkëshortja e tij u kanë ofruar grabitësve orë, celular dhe gjësende të tjera meqë nuk posedonin para. Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk ka informacione nëse kanë apo jo ndonjë pistë apo nëse është vjedhur diçka nga shtëpia.
Ministria e Punëve të Brendshme:
“ Në orën 23:06 M.N ka paraqitur se në oborrin e shtëpisë që gjendet në Inxhikovë të Shkupit, pas një debati të dy personave me bashkëshortin e saj I.A (49), njëri prej tyre ka qëlluar drejt tij. Sipas denoncueses të dy personat kanë kërkuar para nga I.A, por kur ju ka thënë se nuk ka para, njëri nga dy personat e ka qëlluar. Mjeku nga Ndihma e Shpejtë ka konstatuar vdekjen”
Shtëpia në fjalë përdorej nga viktima kryesisht për ruajtjen e bagëtive që posedonte dhe të makinerive, pasi i ndjeri merrej me ndërtim.
Evi Shkopi