Një i ri shqiptar nga Kumanova është dënuar me tre muaj burg nga Gjykata Themelore e Kumanovës, pasi gjatë festimeve të 28 Nëntorit të vitit të kaluar, kishte shfaqur flamurin e UÇK-së dhe flamurin kombëtar, shkruan gazeta KOHA. Bëhet fjalë për Ardi Saitin, 19-vjeç, ndaj të cilit Gjykata Themelore e Kumanovës, më 9 tetor 2026, ka shpallur aktgjykim fajësie për veprën penale “Shkaktim i urrejtjes, përçarjes ose intolerancës mbi baza kombëtare, racore dhe të tjera diskriminuese”, sipas nenit 319, paragrafi 1, të Kodit Penal.
Sipas aktgjykimit, të cilin e ka publikuar edhe vetë i dënuari në rrjetet sociale, ngjarja ka ndodhur më 28 nëntor 2025, rreth orës 21:45, në rrugën “Treta MUB” në Kumanovë, gjatë një kolone festive prej rreth 20 automjetesh që shënonin Ditën e Flamurit Shqiptar.
Gjykata ka konstatuar se Saiti, i cili ndodhej në cilësinë e pasagjerit në një automjet Ford, kishte nxjerrë nga dritarja dy flamuj: njërin flamuri kombëtar me mbishkrimin “Autoctonus”, me përmasa 150 me 80 centimetra, dhe tjetrin me simbolet e UÇK-së, me përmasa 150 me 60 centimetra. Në arsyetimin e përfshirë në aktgjykim, gjykata vlerëson se veprimi i të akuzuarit kishte për qëllim shkaktimin e urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës mbi baza etnike, ndërsa shfaqja e flamujve kishte shkaktuar shqetësim dhe reagime te qytetarët e bashkësive të tjera etnike.
Nga vendimi gjyqësor rezulton se Ardi Saiti është dënuar me tre muaj burg. Megjithatë, në aktgjykimit thuhet se gjykata ka shqiptuar njëkohësisht edhe një masë alternative.
Në aktgjykim theksohet se vendimi është marrë mbi bazën e pranimit të fajësisë nga i akuzuari, i cili në kohën e ngjarjes ishte 18 vjeç dhe nuk kishte qenë i dënuar më parë. Pas publikimit të aktgjykimit, Saiti ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh drejtuar shqiptarëve. “Të dashur shqiptarë, mos dilni më me flamuj se përndryshe përfundoni në burg me kusht”, ka shkruar ai, duke publikuar fotografinë e vendimit gjyqësor.
Megjithatë, Ardi Saiti nuk është i vetmi shqiptarë që është dënuar për festën e 28 Nëntorin vitin e kaluar. Dhjetëra shqiptarë tjerë ishin ftuar në bisedë informative në polic, ndërsa tetë ishin dënuar me të njëjtën akuzë sikurse Ardi Saiti. Nga ana tjetër, polici i Kumanovës që kishte përdhosur flamurin shqiptarë, duke e heq nga shtylla dhe hedh në tokë, jo që nuk ishte dënuar, përkundrazi – muaj më vonë ishte ngritur në detyrë. (koha.mk)














