Përfundimi i autostradës Kërçovë–Ohër nuk pritet të realizohet në fillim të vitit 2027, pasi afati i fundit i konfirmuar nga autoritetet është fundi i muajit maj të vitit të ardhshëm.
Sipas deklaratave të fundit të ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, punimet në autostradë po zhvillohen me dinamikë të shtuar, ndërsa segmenti më i vështirë, nga Izvori deri në Vërbjan, pritet të hapet për qarkullim gjatë muajit dhjetor 2026.
Ministri bëri të ditur se dy tubat e tunelit janë shpuar, ndërsa janë përfunduar edhe katër galeritë, urat dhe viaduktet. Aktualisht po realizohen testimet e sigurisë në tunele, në përputhje me standardet evropiane.
Megjithatë, për përfundimin e plotë dhe vënien në funksion të autostradës, autoritetet mbeten te afati deri më 31 maj 2027.
Kështu, pavarësisht paralajmërimeve të mëhershme për hapjen e saj në tremujorin e parë të vitit 2027, deklarimet më të fundit e zhvendosin përfundimin e plotë të projektit deri në fund të majit.
Autostrada Kërçovë–Ohër është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, ndërtimi i së cilës ka zgjatur për më shumë se një dekadë.
(Struga Ekspres)














