Lufta për liri dhe shtetësi dikur kërkonte sakrificë dhe guxim, ndërsa sot kërkon punë të ndershme, përgjegjësi institucionale dhe vendosmëri për reforma. Ky është mesazhi kryesor i presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, e cila, me rastin e 23 Tetorit – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, u bëri thirrje qytetarëve që trashëgiminë historike ta shndërrojnë në përkushtim konkret për ndërtimin e një shteti të drejtë dhe të begatë.
Në mesazhin e urimit, presidentja thekson se historia e shtetësisë maqedonase nuk mund të kuptohet pa njohur dhe respektuar sakrificën e brezave që hodhën themelet e saj, duke përmendur Kryengritjen e Ilindenit, veprimtarinë e komitëve dhe luftën e partizanëve. Sipas saj, përpjekjet e atyre që luftuan për realizimin e idealit të një shteti kombëtar, edhe pse jo gjithmonë arritën ta përmbushnin atë, përbëjnë një pjesë të pandashme të kujtesës historike. “Nuk mund të flasim për çlirimin e atdheut, ndërsa të heshtim ose ta anashkalojmë vetësakrificën e atyre që, me përpjekje mbinjerëzore, u munduan, por nuk arritën ta realizojnë ëndrrën për një shtet kombëtar”, thuhet në urimin e presidentes.
Siljanovska-Davkova rikujton se 23 Tetori zë një vend të veçantë në historinë maqedonase, pasi në këtë datë, në vitin 1893, u themelua Organizata Revolucionare Maqedonase, e cila, sipas saj, e shndërroi aspiratën për liri në një veprimtari të organizuar politike dhe revolucionare. Ajo vlerëson se veprimtarët e asaj kohe, të udhëhequr nga dëshira për liri dhe jetë dinjitoze, trasuan rrugën e luftës revolucionare në rrethana të vështira historike.
Megjithatë, presidentja thekson se përkujtimi i ngjarjeve dhe figurave historike nuk duhet të kufizohet vetëm në ceremoni dhe shprehje krenarie, por duhet të shoqërohet me respektimin e vlerave për të cilat ata luftuan. “Respekti ndaj paraardhësve ka kuptim vetëm kur idealet e tyre të larta dhe fisnike i shndërrojmë në drejtësi, solidaritet dhe përkushtim ndaj së mirës së përbashkët”, porosit Siljanovska-Davkova. Sipas saj, trashëgimia historike nuk është vetëm burim krenarie, por edhe detyrim moral për përparimin e shtetit, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe krijimin e një shoqërie ku ligji, drejtësia dhe morali nuk do të mbeten vetëm parime të deklaruara, por do të zbatohen në praktikë.
Në këtë kontekst, presidentja bën një krahasim ndërmjet sfidave të së kaluarës dhe përgjegjësive të brezit të sotëm. “Nëse dikur fryma revolucionare dëshmohej përmes vetësakrificës për qëllime të larta kombëtare, sot ajo dëshmohet përmes punës së vendosur dhe të ndershme, guximit intelektual dhe vendosmërisë për reforma të domosdoshme”, thekson ajo.
Siljanovska-Davkova vlerëson se vendi ndodhet sërish përballë një prove historike, në një periudhë të karakterizuar nga pasiguri dhe sfida të shumta, kur është e nevojshme të vazhdohet përpjekja për ndërtimin e një shteti të begatë. Ajo nënvizon se përgjegjësia ndaj historisë ka tri dimensione: respektimin e sakrificës së paraardhësve, përmbushjen me përgjegjësi të detyrimeve ndaj bashkëkohësve dhe garantimin e një të ardhmeje të sigurt për brezat që vijnë. “Detyrimi ynë ndaj paraardhësve është ta nderojmë kujtimin e tyre dhe t’u japim mirënjohjen e merituar; ndaj bashkëkohësve, të veprojmë me përgjegjësi në ushtrimin e kompetencave dhe detyrimeve tona; ndërsa ndaj brezave të ardhshëm, të jemi garantues të së ardhmes së tyre të sigurt”, thuhet në mesazhin e presidentes. Në fund, Siljanovska-Davkova ua uroi qytetarëve 23 Tetorin – Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase, duke bërë thirrje që idealet historike të lirisë, drejtësisë dhe shtetësisë të pasqyrohen në veprimet dhe përgjegjësitë e përditshme.














