Një 35-vjeçar nga fshati Studeniçan i Shkupit ka ndërruar jetë pasi, sipas informacioneve fillestare, dyshohet se është goditur nga rryma elektrike derisa po përdorte një makinë me presion për larjen e automjetit.
Siç njofton MPB-ja, më 16 shtator, rreth orës 11:40, në SPB Shkup është raportuar se në oborrin e një shtëpie në Studeniçan, në pronësi të A.S. (56), kishte ardhur H.B. (35) nga i njëjti fshat dhe kishte marrë makinën me presion për të larë automjetin.
Në një moment, ai është rrëzuar, me shumë gjasë si pasojë e një goditjeje elektrike.
Me automjet të Ndihmës së Shpejtë, H.B. është dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku ka ndërruar jetë.
Mjeku ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion në Mjekësinë Ligjore.













